Ashtu si në tri ndeshjet e tjera të Superligës, edhe mes Tiranës dhe Egnatias nuk ka fitues, madje i njëjti rezultat, 1-1. Bardheblutë nuk arrijnë dot të marrin maksimumin në ndeshjen e shtëpisë kundrejt një rivali që është rikthyer pas 17 vitesh në elitën e futbollit shqiptar.

Tirana e nisi në sulm pjesën e parë, për të shënuar sa më parë, por nuk befasoi miqtë. Egnatia ekuilibroi forcat dhe u mundua të rrezikonte. Fundi i këtij fraksioni flet në favor të Tiranës, që tenton me Seferin, por topi shkon ngjitur me shtyllën.

Seferi, atë që nuk e bëri në pjesën e parë, e bën në minutën e 51-të. Një supergol i sulmuesit bardheblu. Zgjat vetëm 6 minuta festa e tifozëve të Tiranës. Demir Imeri shtang kryeqytetasit me një perlë brenda zonës, duke e dërguar topin në trekëndshin e Bekajt.

VAR-i shpëton Egnatian shtatë minuta pas barazimit. Taulant Seferi gjen sërish rrugën e rrjetës me një gjuajtje nga jashtë zonë, por goli anulohet për pozicion jashtë loje të Xhixhës. Gjyqtarit Alla iu deshën më shumë se 5 minuta kohë për të marrë vendimin. Tirana tenton deri në fund, por as pas 8 minutash shtesë nuk ka gol.

(BalkanWeB)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb