Kryeministri Edi Rama ishte këtë mesditë në qytetin e Vlorës, ku inspektoi dy kantiere të reja ndërtimi që janë hapur së fundit, Parku i Shtëpisë së Pavarësisë dhe zgjatja e Transballkanikes deri tek porti.

Mes të tjerash, kryeminsitri theksoi se këto zhvillime pritet të përfundojnë në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa shtoi se ato “do ta çojnë Vlorën turistike një hap të madh përpara, duke ndikuar ndjeshëm në ekonomi, punësim e imazhin e saj ndërkombëtar”.

“Dy zhvillime që lidhen me transformimin e madh të portit të qytetit në një port turistik, me hotele, restorante, dyqane, rezidenca të reja dhe spostimin e portit të mallrave tek Triporti, ku do të kemi një port të ri me standarde ndërkombëtare – dy investime masive këto që do ta çojnë Vlorën turistike një hap të madh përpara, duke ndikuar ndjeshëm në ekonomi, punësim e imazhin e saj ndërkombëtar”, tha Rama.

Gjatë këtij inspektimi nuk munguan dhe batutat e kryeministrit me qytetarët vlonjatë, ku këto të fundit i kanë thënë se “Vlora të do shumë, mos ça kokë çfarë thonë”.

Qytetarja: Edi Rama është ky?
Rama: Jo, po ça ti them? T’i çoj ndonjë fjalë?
Qytetarja: Bëj të fala
Rama: Patjetër
Qytetarja: Dola të të shoh nga afër se të shoh gjithnjë në televizor
Rama: Epo jam cik si i mbuluar tani se ca të bëjmë do mbrojmë veten dhe njëri tjetrin.
Qytetarja tjetër: Shoku Rama, suksese. Vlora të do shumë mos ça kokë se ça thotë ai matufi.
Rama: Po lëre mo atë çke me atë ti, ai s’di not ta kam thënë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: