Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, zhvilloi një takim me Drejtuesen e re të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Yan Sun, përmes platformës virtuale të komunikimit Webex.

Në takim u diskutua në lidhje me zhvillimet më të fundit në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit dhe impaktin e pandemisë së COVID-19. Mete u shpreh se tregu i sigurimeve rezultoi më i ekspozuari nga efektet e koronavirusit, edhe pse pritet që rihapja të sjellë normalizimin e treguesve financiarë për shoqëritë e sigurimit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se miratimi së fundmi i tre ligjeve të reja nga Kuvendi i Shqipërisë, “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, “Për tregjet e kapitalit” dhe “Për tregjet financiare bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” pritet të modernizojë funksionimin e këtyre tregjeve dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Mete e cilësoi dixhitalizimin si një sfidë kryesore të Autoritetit në kushtet e reja të krijuara si pasojë e COVID-19, për të siguruar raportimin në kohë reale të të dhënave për të gjitha subjektet nën mbikëqyrje, por edhe në funksion të komunikimit ndërinstitucional dhe lehtësimit të procedurave për qytetarët.

Drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Znj. Yan Sun vlerësoi rolin e AMF në mbikëqyrjen e tregjeve financiare jobankare, si edhe shprehu gadishmërinë për të vijuar asistencën për Autoritetin, përmes ekspertizës, edhe në kuadër të ligjeve te reja te miratuara se fundmi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: