Mimoza Hafizi, ish-deputete e PS-së, e konsideron situatë dramatike largimin e shqiptarëve drejt perëndimit. Ajo shpreh shqetësimin se fluksi i ikjeve nuk do të ndalet teksa përmend arsyet që nga keqqeverisja, standardi i ulët i jetesës, varfëria, korrupsioni qeveritar, papunësia e pagat e ulëta.

Ish-deputetja thotë për gazetën “Panorama” se rryma e njerëzve që largohen ka dalë jashtë kontrollit për shkak të keqqeverisjes. Për pedagogen e fizikës po favorizohen injorantët dhe hileqarët dhe po përjashtohen të kualifikuarit, të cilët si zgjidhje shohin largimin. Znj. Hafizi apelon se vendit po i ikën truri i kombit dhe se kjo qeveri nuk mund t’i mbajë më ndaj sipas saj duhet një shpresë dhe frymë e re. Mimoza Hafizi vë në pah se “ne po ndërtojmë një ekonomi që bazohet te njerëz me premisa e sjellje kriminale”.

Ajo nuk beson se ky sistem tashmë i konsoliduar qeverisjeje do të mund të jetë në gjendje të reagojë për të ndalur ikjen. Sipas Hafizit, rryma e njerëzve që largohen ka dalë jashtë kontrollit. “Do të duhej një shpresë e re, një frymë e re”, shprehet ish-deputetja e PS-së.

Znj.Hafizi, një pjesë e qytetarëve po ikin, ata që janë jashtë nuk duan të kthehen kurse shumë të tjerë po planifikojnë largimin nga vendi. Çfarë po ndodh realisht me shqiptarët? Pse po ikin…?

Shqiptarët po ikin për një jetë më të mirë. Askush nuk do ta braktiste pa arsye të forta këtë copë të vogël e të bukur të planetit, ku na ka rënë fati të lindim e të ndërtojmë jetët tona, brez pas brezi. Aq më pak tani, tri dekada pas rënies së komunizmit dhe hapjes së vendit, kur gjithsecili që ikën e di mirë se çfarë jete e pret përtej kufijve. Perëndimi nuk është më ëndrra e dikurshme, e panjohur, misterioze e drithëruese, e ndjekur si në jerm nga mijëra bashkatdhetarët tanë, 30 vite të shkuara. Sot, ai është një destinacion i menduar gjatë, i arsyetuar, i kalkuluar dhe i përzgjedhur nga shumë prej nesh.

Shprehja “guri i rëndë në vendin e vet” duket se nuk po vlen më për shqiptarët. Me sytë përtej kufirit, themelet e së ardhmes ata kërkojnë medoemos t’i hedhin larg Shqipërisë. Për cilat arsye po shpopullohet Shqipëria?

Ka shumë arsye, por unë do të ndalesha tek ajo që më ngjan kryesore:ne nuk po dimë të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, ku secili të ketë hapësirat dhe shanset për të zhvilluar mundësitë, aftësitë, pasionet e veta. Një shoqëri ku t’i shkollojmë denjësisht fëmijët, që të dinë të zgjedhin se çfarë munden e çfarë duan të bëjnë në jetë. Të shumtë janë ata që me lloj-lloj marifetesh e mënyrash abuzive rrëmbejnë atë çfarë nuk i takon. Ndërkohë, pjesa tjetër ndihet e pafuqishme dhe e huaj. Ne kemi strukturuar një shoqëri që favorizon injorantin e hileqarin. Ne po ndërtojmë një ekonomi që bazohet te njerëz me premisa e sjellje kriminale. Të tjerët ndihen të përjashtuar dhe një pjesë e gjen zgjidhjen duke u larguar drejt një bote, që nuk është aspak parajsë, por së paku ngjan më e drejtë dhe më humane.

Ata që po ikin, kryesisht janë të rinjtë. Çfarë pasojash do të ketë për vendin ikja e trurit?

Shqipëria po plaket e po varfërohet shpirtërisht e mendërisht. Vendit tonë po i ikën e ardhmja. Ju e shihni edhe më nga afër këtë realitet me studentët tuaj… Çfarë ndjesie ju lë ikja e tyre? Kur studentet e mi ikin për të vazhduar jashtë studimet Master apo doktorale, më vjen mirë. Te ne, studimet doktorale janë mbyllur prej 10 vitesh. Kur studentët e mi arrijnë të integrohen në skuadra shkencore evropiane, më vjen shumë mirë. Kanë investuar kaq shumë për formimin e tyre, dhe ky investim nuk po i shkon dëm. Por, ndihem keq për vendin tonë, që nuk është në gjendje t’i mbajë e të përfitojë nga kualifikimi i tyre. Sepse ekonomia jonë nuk është e orientuar drejt të mirave që sjell dija.

Sa serioze është situata e emigrimit duke pasur parasysh se Shqipëria po plaket me ritme të shpejta. Nga vendi me popullsinë më të re në Evropë, mosha mesatare e Shqipërisë është rritur nga 27 vjeç në 35.4 vjeç….

Situata është dramatike dhe unë e përjetoj me shumë trishtim. Jam pesimiste, se ky fluks do të mund të ndalet. Shifrat po rriten me shpejtësi marramendëse: numri i njerëzve që largohen, numri i degëve të studimit që mbyllen, numri i studentëve të munguar në bankat e shkollës. Gjithçka po rritet eksponencialisht. Sivjet, ne për pak rrezikuam hapjen e Bachelor-it në Fizikë, e vetmja degë e tillë e mbetur në Shqipëri. S’ka asnjë siguri që do të mund ta hapim vitin tjetër. Ne po humbasim Masterin e Shkencave në Fizikë, një degë studimesh që na ka bërë krenarë prej gati 60 vitesh.

Sa ndikon standardi i ulët i jetesës, niveli i lartë i papunësisë, si dhe niveli e ulët i pagave, që janë më të ulëtat në rajon. A është keqqeverisja, varfëria dhe korrupsioni qeveritar arsyeja kryesore që po i çon shqiptarët drejt kalimit të detit?

Të gjithë këta faktorë që përmendni janë njëri më primar se tjetri. Ata janë po kështu të ndërlidhur me njëri-tjetrin.

Cilat janë pasojat sociale dhe ekonomike?

Kam frikë që ekonomia do të bjerë, sepse nuk do të ketë mjaftueshëm forca pune. Si rrjedhim, edhe fluksi i njerëzve që duan të largohen do të vazhdojë të rritet. Moshat e thyera nuk do të mund të mbështeten nga kontributet shoqërore. Shqipëria do të vazhdojë të plaket e të varfërohet.

Shqipërisë po i ikën edhe njerëz të kualifikuar, një pjesë e elitës së saj. Çfarë duhet të bëjë qeveria që t’i mbajë shqiptarët në Shqipëri?

Nuk besoj se ky sistem tashmë i konsoliduar qeverisjeje do të mund të jetë në gjendje të reagojë për të ndalur ikjen. Rryma e njerëzve që largohen ka dalë jashtë kontrollit. Do të duhej një shpresë e re, një frymë e re./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: