SPAK ka sekuestruar një tjetër vilë në zonën e Palasës, me sipërfaqe 478 metra katrorë, në kuadër të hetimeve të dosjes ‘Balluku’. Vila dyshohet se ishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga Balluku dhe ishte fshehur përmes përdorimit të shtetasit Igli Tare dhe kontratave që SPAK i konsideron fiktive.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka ngritur akuza të tjera ndaj Arbër Abazit, Igli Tares dhe shoqërisë “Alko Impex General Construction”. SPAK ka zbardhur detaje të reja nga hetimi ndaj Belinda Ballukut, duke ngritur dyshime për një lidhje mes favorizimit të kompanie në një tender publik dhe investimeve të kryera në vilën që Prokuroria pretendon se i përket faktikisht ministres. Sipas SPAK, Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, ka marrë përsipër investime për përfundimin e vilës në Palasë, me vlerë që sipas preventivit shkon nga rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro.
Kompania e tij ishte pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 2.35 miliardë lekë pa TVSH. SPAK dyshon se Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka favorizuar kompaninë në procedurën e prokurimit dhe, në këmbim, ka përfituar investimet e kryera në vilë. Për këtë episod, SPAK ka ngritur ndaj Ballukut dyshime për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash, ndërsa hetimet vijojnë.
Ndaj ish-numrit dy të qeverisë janë dy masa sigurie në fuqi; ndalim për të dalë jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve.
