Nga Evarist Beqiri

Sot, më 8 Nëntor, botohet për herë të parë për publikun shqiptar një nga dëshmitë më tronditëse të luftës psikologjike dhe gjeopolitike të Ismail Qemal Vlorës: letra e tij e panjohur e 8 Nëntorit 1902, dërguar nga Londra për të birin e internuar, Mahmudin.

  • foto galeri

Fakti është që Europa njohu Ismail Qemal Vlorën përpara se të njihte Shqipërinë. Një vit pasi shtypi europian (siç dëshmon revista pariziene “Pro Armenia” në tetor 1901) denoncoi marrjen peng të familjes së tij në Arnavutqoj, dhe pasi Gjykata e Stambollit e kishte dënuar me vdekje në mungesë më 18 Maj 1901, Sulltan Abdylhamiti II priste gjunjëzimin e Themeluesit. Përgjigjja e Ismail Qemalit nuk ishte dorëzimi, por një operacion i mirëllogaritur inteligjence me mbulesë britanike.

Duke shkruar nga Londra, kryeqendra e diplomacisë globale, ai po i dërgonte Stambollit mesazhin e parë se nuk ishte një i arratisur i dëshpëruar, por një lojtar me mbrojtje ndërkombëtare:

“Londër, 8 Nëntor 1902

Drita e syve të mi, biri im Mahmud,

Nuk dua të shpreh e as të përshkruaj hidhërimin e zemrës sime, sepse kjo do të shërbente vetëm për të rënduar edhe më shumë një zemër tashmë të thyer. Megjithatë, ata që janë përfshirë në një betejë të madhe duhet ta dinë se do të përballen me vështirësi të çdo lloji. Prandaj, çfarëdo fatkeqësie që t’i godasë, duhet ta përballojnë me durim e qëndresë.

Zoti e di se çfarë ideali fisnik dhe çfarë qëllimi të lartë i shërbejmë. Ai do të na shpërblejë, sado e vonuar të jetë dita e shpërblimit. Nuk duhet të na lëshojë zemra. Shpresoj që ajo ditë të jetë afër, ndoshta shumë afër.

Tani për tani po i dërgoj dhjetë lira Zotit Firman që të t’i japë ty, do t’i marrësh. Që tani e tutje do të të dërgoj gradualisht dhe nuk do të të lë pa para. Vetëm se duhet të marrësh leje nga Zoti Firman që paratë t’i dërgohen atij.
Kam dy-tre ditë që jam në Londër; do të qëndroj ende këtu. Nga muaji i ardhshëm do të zbres poshtë drejt Egjiptit. Letrat dërgoji në Paris si më parë, aty do t’i marr unë. Qazimi është me mua tani. Të tre qëndruan në Paris. Et’hemi me Xhevdetin do të vijnë në Angli; për Tahirin të shohim ç’do të bëhet, mbase atë e sistemoj në Egjipt. Për momentin të përqafoj me gëzimin më të madh dhe të lë në ndihmën dhe mbrojtjen e Zotit, djali im.

Yt atë

Ismail Kemal”

Kjo letër është dëshmia se si një burrështetas e kthen tragjedinë familjare në akt të luftës psikologjike. Duke e ditur se letra kalonte nëpër duart e “Hafijeve” (spiunëve) osmane, këto fjalë – “ata që janë përfshirë në një betejë të madhe… duhet ta përballojnë me durim… Zoti e di se çfarë ideali fisnik dhe çfarë qëllimi të lartë i shërbejmë. Ai do të na shpërblejë, sado e vonuar të jetë dita e shpërblimit” – i adresoheshin drejtpërdrejt Abdylhamitit II: Shantazhi yt ka dështuar.

Mprehtësia qëndron te mekanizmi financiar. Ismail Qemali, duke dërguar para përmes Konsullit Britanik në Bitlis (Z. Firman), e kthen mbështetjen familjare në një operacion me mbulesë diplomatike, ku ndalimi i parave do të provokonte incident me Perandorinë Britanike.

Siç dokumenton historiani turk Ahmed Bedevi Kuran (“Historia Jonë Revolucionare dhe Xhonturqit”, 1945), posta osmane u mjaftua vetëm me kopjimin e fshehtë të letrës, pa guxuar ta bllokonte. Në të njëjtin libër, autori shkruan se Ali Kemal Beu paralajmëronte Stambollin në qershor 1901 se Ismail Qemali “po punonte më shumë për themelimin e një principate në Shqipëri sesa për një revolucion në Turqi”. Ai po përdorte lëvizjen opozitare perandorake si mburojë për të ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare.

Ne e njohim vitin 1912 si pikënisjen e shtetit tonë, por harrojmë se “Ati i Pavarësisë” u sprovua fillimisht si lider i opozitës perandorake, duke sfiduar makinerinë më të sofistikuar të survejimit të kohës. Pavarësia e Shqipërisë nuk erdhi si fryt i heroizmit romantik, por nga pragmatizmi i një burrështetasi që diti të armatoste gjeopolitikën, të manovronte mes shërbimeve sekrete dhe t’i imponohej ekuilibrit europian, duke mbajtur mbi supe koston e tmerrshme të sakrifikimit të familjes së tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb