Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe Armiq”

Në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1943, u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Por një muaj më pas, në Konferencën e Mukjes, më 2 tetor 1943, u prish marrëveshja, Balli Kombëtar u deklarua tradhtar me akuzën e bashkëpunimit me pushtuesit gjermanë dhe u luftua kundër forcave të tij. Në fakt kjo ishte një luftë vëllavrasëse. Socializmi në Shqipëri u vendos pas Çlirimit të vendit dhe krijimit të pushtetit popullor pas zgjedhjeve pluraliste në vitin 1945, në Legjislaturën e Parë të Kuvendit Popullor.

Periudha 45-vjeçare e procesit të ndërtimit të “socializmit” me sistemin politik të diktaturës së proletariatit u udhëhoq nga Enver Hoxha. Nga nëntori 1944 dhe deri në dhjetor 1990, kur u pranua pluralizmi politik, u zhvillua lufta e klasave e filluar menjëherë pas Çlirimit kundër nacionalistëve e më pas kundër armiqve të pushtetit popullor. Lufta për pushtet shkaktoi edhe pasojat e rënda ndaj të drejtave e lirive, persekutimin politik dhe shkatërrimin e shtetit.

Lufta e klasave si mjet për pushtet absolut

Në gjithë veprimtarinë politike dhe deri në fund të jetës Enver Hoxha dëshmoi vullnetin dhe veproi me gjithë forcën e tij për marrjen dhe mbajtjen përjetësisht të pushtetit me çdo mjet. Me edukimin në një familje të mesme gjirokastrite, arsimimin në gjimnazin e qytetit të vogël jugor, përkrahjen e burrit të motrës së tij, përfitoi bursën e dhënë nga Ministria e Arsimit, shkoi e qëndroi afro dy vjet në Paris e më pas në Belgjikë, ku u njoh kryesisht me jetën mondane.

Në rininë e tij ai nuk ka pasur ide komuniste. Këtë e dëshmojnë edhe shokët e tij të gjimnazit. Më vonë në kujtimet e tij ka thënë se kur ishte në Francë ka pasur simpati për lëvizjen komuniste franceze që ishte në modën politike në atë kohë pas Revolucionit të Tetorit. Faktet e publikuara pas vitit 1990 tregojnë se ai u mbështet nga shtetet perëndimore që kërkonin të ndryshonin gjendjen në Shqipëri, u rikthye me ide e qëllime të reja, u gjet i përshtatshëm edhe nga veprimtaria lindore jugosllave e nëpërmjet saj nga Kominterni, u vu në krye të Partisë Komuniste pasi u likuidua Qemal Stafa etj.

Qemal Lame
Qemal Lame

Vizioni i tij për pushtet autoritar e të përjetshëm e dalloi atë në vënien në krye të Luftës Nacionalçlirimtare, pushtetit popullor të krijuar pas luftës, në dënimin masiv të kundërshtarëve politikë të akuzuar për bashkëpunim me kolaboracionistët dhe u bë sistem shtetëror me luftën e klasave me sloganin për fshirjen me fshesë të hekurt të armiqve dhe tradhtarëve. Këtë qëllim dhe këtë politikë ka zbatuar me rreptësi që në kohën e luftës me kundërshtimet e më pas me dënimin e nacionalistëve.

Në kritikën që ka bërë për Marrëveshjen e Varkizës midis komunistëve dhe nacionalistëve grekë, Enveri ka theksuar se që në kohën e luftës ne zgjidhëm çështjen e pushtetit duke mos bërë kompromis me nacionalistët. Pushteti diktatorial u sanksionua në Kushtetutën e vitit 1974, ku u vunë roli udhëheqës i partisë në drejtimin e shtetit, ekonomisë e gjithë jetës së vendit, Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së edhe me funksionin e Kryetarit të Këshillit të Mbrojtjes.

Grupet armiqësore të kolaboracionistëve e më pas komplotet në ideologji, ekonomi, ushtri e deri te kryekomploti i Mehmet Shehut janë dëshmi e përdorjes së pushtetit dhe falsifikimit të proceseve hetimore e gjyqësore dhe dënimeve me vdekje për eliminimin e kundërshtarëve politikë deri edhe me vrasje makabre pa faj, pa veprimtari konkrete komplotiste e puçiste kundër partisë e shtetit, pa pasoja politike, ekonomike, ushtarake e shoqërore për akuzat absurde. Lufta e klasave ishte politika e rreptë e miratuar në kongrese dhe e ndjekur me fanatizëm nga Byroja Politike.

Politika personale e eliminimit të kundërshtarëve politikë me anë të falsifikimit të këtyre proceseve të paragjykuara e të montuara për të eliminuar personat e rrezikshëm, pa u zgjatur shumë, kuptohet qartë po të analizohen veprimtaritë konkrete të personave të deklaruar e të dënuar si komplotistë e puçistë pas vitit 1972 deri në vitin 1983. Ideologjia drejtohej dhe ishte nën kontrollin e plotë të udhëheqësit dhe gjithë strukturës së partisë-shtet. Në komplotin në ideologji nuk kishin ndodhur pasoja.

Ekonomia, planet ekonomike pesëvjeçare e vjetore, nafta, hapja e puseve të reja, minierat, organikat e institucioneve qendrore etj. orientoheshin nga Byroja Politike, materializoheshin nga Këshilli i Ministrave, miratoheshin nga organet qendrore të partisë dhe ligjëroheshin nga Kuvendi. Forcat e Armatosura ishin nën drejtimin dhe kontrollin e plotë të Komandantit të Përgjithshëm, Këshillit të Mbrojtjes që drejtonte vetë udhëheqësi. Arti ushtarak ishte miratuar nga Këshilli i Mbrojtjes. Teoria e Rrëshqitjes, e cilësuar si tradhti, ishte ide e njohur dhe e diskutuar, por pa u miratuar zyrtarisht. Fortifikimi ishte detyrë strategjike dhe miratohej po nga këto organe.

Në rast se këto vlera të jashtëzakonshme materiale e monetare do të përdoreshin për ekonominë, punësimin, ndërtimin e shtëpive të banimit etj., do të arrihej me të vërtetë një bum ekonomik dhe i mirëqenies, ashtu si edhe në shtetet perëndimore. Ligjshmëria dhe politika penale ishin objekti kryesor i veprimtarisë shtetërore e të drejtësisë. Zbatimi i ligjeve, veprat penale e ngjarjet e rëndësishme raportoheshin çdo ditë në Komitetin Qendror dhe direkt tek udhëheqësi.

Krimet kundër shtetit dhe internimet diskutoheshin në fillim detyrimisht me udhëheqësin dhe sipas porosive të tij veprohej nga Komisioni i Internimeve e Dëbimeve, Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Lartë. Koha tregoi se si gjithë diktaturat dhe diktatorët në perandoritë që njeh historia e shoqërisë njerëzore, në kohën moderne pas fitores mbi nazifashizmin u zbatuan po të njëjtat metoda të udhëheqësve diktatorialë. Udhëheqësi afronte pranë pushtetit të tij njerëzit më të besuar, tregonte se ishte shok e mik i përjetshëm me ta.

Kur ndryshonin rrethanat politike, kur konstatonte se i rrezikohej pushteti edhe nga ata që i kishte pranë, i distanconte, i shpallte armiq e tradhtarë, i eliminonte mizorisht me pretekste deri edhe të ndonjë qëndrimi të pakujdesshëm apo të gabimeve pa faj apo të vendimeve të fajshme deri edhe kriminale të vrasjeve e dënimeve me vdekje për të cilat vetë ai ishte në dijeni të plotë dhe personalisht kishte urdhëruar eliminimin e tyre.

Vlerësimet me argumentet për të motivuar ngritjen në përgjegjësi deri ministër dhe anëtar i Byrosë Politike përdoreshin ndaj të njëjtëve persona duke iu bërë interpretimin e kundërt për t‘i akuzuar për dështimet, të akuzoheshin armiq e tradhtarë e të dënoheshin deri edhe me vdekje. Lufta e klasave është përgjegjësi, fajësi kryesore e Enver Hoxhës dhe e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në Byronë Politike. Kjo zhvleftëson kontributin e tyre në Luftën Nacionalçlirimtare, si dhe në zhvillimin ekonomik që nuk mund të mbivlerësohet për faktin se mbetëm vendi i fundit në Evropë dhe me nivelin më të ulët të varfërisë së popullit në krahasim me standardet evropiane.

Përgjegjësia e Enverit për ushtrimin e dhunës shtetërore ndaj popullit të tij kuptohet më konkretisht edhe në krahasim me Stalinin. Dihet se Lenini bashkë me Stalinin ishin strategë ushtarakë që udhëhoqën Revolucionin e Tetorit. Stalini ishte udhëheqësi kryesor që fitoi Luftën e Dytë Botërore kundër Gjermanisë naziste. Ai transformoi Rusinë nga një shtet feudal-borgjez në një shtet të zhvilluar industrial duke e bërë superfuqi të kohës. Këto merita të tij të mëdha mbeten në plan të dytë në krahasim me luftën e klasave të “terrorit të kuq” kundër “terrorit të bardhë”, ku fshatarësia mbështetëse e feudalizmit dhe kundërshtuese e kolektivizimit të bujqësisë u viktimizua me miliona të vrarë e të internuar.

Periudha historike e socializmit u vlerësua si sukses personal i udhëheqjes nga Enver Hoxha. Asnjë përgjegjësi apo faj nuk guxohej të thuhej për të si kryetar i shtetit. Ai mbetej figura e hyjnizuar, ylli ndriçues që motivonte e realizonte vetëm suksese. Gabimet dhe pasojat e rënda iu kalonin personave që cilësoheshin armiq e tradhtarë dhe mbetej përherë i pastër kontributi i udhëheqësit. Kush ka guxuar ta kritikojë është burgosur, dënuar si armik dhe disa kanë vdekur në burg në rrethana të pasqaruara zyrtarisht, që në kushtet e sotme të demokracisë po zbulohen të dhëna për veprimtari kriminale të organizuar të realizuar nga oficerë me funksione të larta në Sigurimin e Shtetit të drejtuar personalisht nga ministri i Brendshëm.

Është fakt se pothuajse gjithë të dënuarit politikë kanë shprehur në fjalën e fundit para pushkatimit apo dënimit besnikërinë ndaj Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës. E vërteta është se një pjesë kanë deklaruar me ndërgjegje mendimet, ndërsa shumica për të mbrojtur familjet e të afërmit e tyre. Enver Hoxha mburrej me krenari se fshinte armiqtë me fshesë të hekurt. Ai largonte nga funksionet shtetërore njerëzit që i kishte përkrahur vetë në kohën kur ata arrinin të bëheshin të njohur me meritë, i zëvendësonte me të tjerë dhe ngrinte në piramidën e tij persona pa aftësitë përkatëse, si naftëtarë, shoferë, pompistë, mjelëse lopësh, kooperativiste me rezultate të larta, me propagandën e bujshme të ardhjes në pushtet të punëtorëve e fshatarëve. Kanë qenë të paktë personat me shkollë të lartë, sidomos nga ata që kishin studiuar në Francë, Austri, Itali etj.

Morën detyra komanduese ata me kurse specializimi ose studiuan në Bashkimin Sovjetik e shtetet e tjera ish-socialiste. Intelektualët me edukim perëndimor dhe lindor u ndëshkuan gradualisht si tradhtarë, agjentë, sabotatorë të partisë, ekonomisë, ushtrisë, kulturës etj. Mbijetuan dhe qëndruan gjithë jetën në pushtet vetëm ata që ndenjën absolutisht besnikë dhe nuk kishte asnjë dyshim për rrezikun e karriges së udhëheqësit. Shokët e Enverit do të viheshin një ditë papritur përballë tij si armiq, tradhtarë e komplotistë.

Megjithëse ata edhe para çastit të pushkatimit deklaruan besnikërinë ndaj Enveri dhe partisë, nuk do të kishte asnjë mëshirë njerëzore. Mbetën shokë Haxhi Lleshi, Spiro Koleka, Haki Toska, Gogo Nushi etj. Hysni Kapo jetoi, qeverisi dhe deri sa vdiq meritoi të quhej shoku e bashkëpunëtori i ngushtë. Por nuk mund të thuhet me siguri nëse do të cilësohej kështu po të ishte gjallë kur u vendos trashëgimi i pushtetit dhe kur vdiq Enveri, nëse do të mbetej shok, do të trashëgonte pushtetin apo do të viktimizohej për t‘i hapur rrugën trashëgimtarit të zgjedhur, ashtu si ndodhi realisht!?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb