Orges Shehi, trajneri i Tiranës, në një intervistë ekskluzive për News24, dhënë për gazetaren Trevisa Tufa, mbylli përfundimisht çështjen Shkëndija, deri më 31 maj do të jetë trajner i bardhebluve, duke respektuar në këtë mënyrë kontratën.

Shehi zbuloi disa prapaskena jo vetëm në lidhje me ofertën e klubit tetovar, por dhe momentet e vështira që kaloi në periudhën post-titull. Shehi foli për ecurinë e kryeqytetasve, ndërsa tregoi se çfarë i mungon ekipit në këtë pikë të sezonit.

Në letër, Tiranës nuk i dalin llogaritë në këto katër javë të para, për këtë arsye ndaj Teutës kërkohen pikët e plota, për momentin e gjithë vëmendja e klubit është e përqendruar në këtë përballje.

Në intervistën e tij për “Sport News”, Shehi zbuloi nëse këtë vit titulli është kusht.

“Negociatat me Shkëndijën? Mendoj se nuk ka negociata, sigurisht që disa momente ku gjej rastin të falënderoj drejtuesit e Shkëndijës për besimin që kishin ndaj meje për të nisur një projekt që do të ishte 2-3 vjeçar. Por u mbyll shumë shpejt se e kam thënë që deri me 31 maj jam trajner i Tiranës.

Nuk mendoj se ka arsye për t’u larguar nga Tirana. Jemi skuadër e ndërtuar pothuajse nga e para, nuk është se ka arsye që unë të mendoj largimin apo shkëpus marrëdhëniet. Marrëdhëniet janë për t’u respektuar nga të dy palët, nga unë dhe klubi.

Kushti i qëndrimit ishte ruajtja e grupit? Ne duam të mos ketë tranzicion shumë të madh, por në futbollin modern duke ditur çfarë lojtarësh kishim në dispozicion, ekzistonte frika e dilema a largohen apo jo. Në kushtet e futbollit modern çdo shoqëri bën një bilanc hyrje-dalje, mendoj se nga ana financiare duhet t’i afrohemi klubeve në Europë me sistem transfertash se mendoj që Tirana ka dy vite që ka hyrë në menaxhimin e mirë siç është futbolli kudo që të promovojë e shesë lojtarë. Kjo ka të mirën e vet, por edhe të keqen se ka tranzicion. Por në këto kushte mendoj se klubi e ka menduar mirë dhe është i qartë që duke afruar lojtarë të tjerë të jetë pranë objektivave që pretendojnë.

Mendoj se lojtarët që kanë ardhur janë cilësore, u duhet pak kohë se disa janë afruar shumë vonë, se ishte e varur dhe nga largimi i atyre që kishim në gjirin tonë. Ne presim shumë nga ata, që do të zëvendësojnë më së miri lojtarët e larguar. Duhet kohë që të përshtaten me ambientin, klubin, një mënyrë loje ndryshe. Jemi të kënaqur deri diku me atë që kanë prodhuar në lojë. Sa i përket lojës, kanë dhënë goxha, edhe pse duhet kohë që të japin më të mirën e tyre për të qenë në ritmin apo stadin e lojtarëve që u larguan dhe objektivave që ka ky klub gjithmonë”, tha ndër të tjera Shehi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: