Një nënë ka denoncuar humbjen e djalit të saj 3-vjeçar në Policinë e Durrësit. E reja në një deklaratë për mediat akuzoi prindërit e bashkëshortit i cili ka ndërruar jetë, se ia kanë marrë djalin dhe nuk ia kanë kthyer më në shtëpi.

Bashkëshorti i denoncueses ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti, një vit më parë. Nëna tha për mediat se çdo fundjavë gjyshërit takonin nipin, ndërsa të shtunën që kaloi, ata përmes telefonit i kanë thënë se nuk do ia çojnë më djalin.

Policia ka vënë nën arrest gjyshin e 3-vjeçarit, Rexhep Gunin, 58-vjeç. Ky i fundit pretendon se fëmija ka shkuar tek të afërmit në Kukës, por nuk gjendet as atje në adresën e dhënë. Ndërkohë në kërkim është shpallur gjyshja e fëmijës 3-vjeçar.

Sipas burimeve në polici, ka dyshime se fëmija mund të jetë marrë dhe larguar jashtë shtetit. Ndërkohë është dhënë sinjal të ruhen pikat kufitare.

Xhaxhai i 3-vjeçarit: Bahrien për herë të fundit e kam takuar ka një muaj e pak kohë. Lajmin e kemi dëgjuar nga mediat. Nuk është lajm i mirë aspak. Nuk kam koment. Mërzia e humbjes së djalit normalisht ndihet tek çdo prind. Ngaqë humbi djalin, nipi e zëvendëson atë, por nuk ka shanse që të ketë rrezikshmëri. Kjo nuk është rruga e duhur, por ajo e ka marrë sepse e do shumë dhe jo për qëllime të tjera. Ne në Kosovë njohim njerëz, por jo se kemi hyrje dhe dalje të shpeshta. Por lidhje farefisnore të hershme kemi. Mund të jenë edhe në Kukës e në Kosovë, edhe kjo mund të ndodhë.

(Balkanweb)  

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb