PD dhe disa parti të vogla opozitare janë në një qëndrim të unifikuar lidhur me ndryshimet në kodin zgjedhor. Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu në një intervistë në “News24” foli për situatën politike në vend dhe marrëveshjen e arritur për Kodin Zgjedhor.

Gjatë intervistës, Mediu theksoi se lidhur me reformën zgjedhore ka pasur një dakordësi me partitë opozitare. Ai u shpreh se është shumë e rëndësishme që të bëhet edhe një analizë me ekspertët elektoralë.

“Rruga e vetme që ka opozita e para është të jetë bashkë, e dyta të angazhojë në këtë lëvizje një qëndrim të drejtë dhe të krijojë bindje të shqiptarët dhe e treta te faktori ndërkombëtar. Se një vend anëtar i NATO-s dhe një vend perspektivë i BE ka disa kushtëzime në mënyrën se si vepron dhe një nga ato janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, u shpreh ai.

Ndërsa nënvizoi se unifikimi dhe bashkëpunimi i të gjitha forcave opozitare është shumë i rëndësishëm dhe kjo sipas tij e ka bërë dhe kreun e PD Sali Berisha të kuptojë se duhet të forcojë qëndrimin dhe të krijojë më shumë frymë demokratike.

“Një nga çështjet themelore është reforma zgjedhore në tërësi. Partia Republikane është dakord me propozimin e bërë. Kemi besuar që taktika më e mirë do të ishte trajtimi dhe debatimi i kësaj çështje…Lapaj me sa di ka paraqitur disa elementë të draftit që duhen shqyrtuar. Pra duhet të kemi një draftim që të jetë logjik më pas ekspertët të bëjnë edhe një analizë. Po ashtu vlera e votës në qarqe të ndryshme njehsohet e njëjtë po ashtu mendoj se shmang edhe shtrembërime të jashtëzakonshme. Partia e zotit Lapaj me 60 mijë vota ka vetëm një deputet. Pra ka shumë shtrembërime që vijnë nga sistemi. Por duhet thënë se nëse ka një qeveri që do përdorë administratën shtetërore, shantazhimin, patronazhistë, kjo është një çështje që duhet të marrë fund. Duhet thënë që ideja e qeverisjes teknike është shtrembëruar”, tha ai.

Gjithashtu theksoi se në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më tej Mediu theksoi se opozita duhet të kuptojë se sjellja e saj politikë ka bëjë me shqiptarët, dhe fokusi duhet të jenë qytetarët.

“Kur gjithë opozita është e unifikuar në qëndrim ka edhe një impakt më të madh, por kur është e ndarë i jep shansin mazhorancës që të bëjë lojërat e saj siç edhe i ka bërë deri tani. Sjellja e opozitës përgjithësisht ka qenë një sjellje me orientin disavantazhues për qytetarët shqiptarë. Në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por këshilloj se ekspertët duhet të ulet grupi i përfaqësuesve në Komisione Zgjedhore duhet të ulen, sepse pala tjetër po përpiqet të sjellë shkurtimin e mandateve”, tha ndër të tjera ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb