TIRANE- Renato Milloshi i vetëdorëzuar një ditë më parë në polici, pasi dyshohet të jetë bashkëpunëtor në ekzekutimin e Elton Çiços në 1 maj të vitit të kaluar, në një lokal në zonën e ish-Bllokut, ka rrëfyer pak gjëra në polici.

Gazetarja e News 24 dhe BalkanWeb, Dorjana Bezat zbardh dëshminë e tij përpara policëve. Ai ka treguar se ku është fshehur gjatë kësaj kohe dhe çfarë di për Jani Aliajn, personi që edhe sipas tij, është vrasësi i Çiços.

“Pas ngjarjes jam fshehur në periferi të Tiranës ku kam jetuar në banesa të ndryshme në Sauk dhe tek Kodra e Diellit si dhe në banesa pranë Qendrës Kristal. Me Jani Aliajn nuk kam kontaktuar. Kam dëgjuar që ka ikur jashtë vendit”,- ka rrëfyer shkurt Milloshi.

“U lodha duke u fshehur bodrumeve për 1 vit”, ka thënë ai, duke shtuar se ishin familjarët që e bindën të vetëdorëzohej.

Renato Milloshi djali i Hysni Milloshit, kryetarit të ndjerë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të pas viteve ’90 ishte pronari i makinës tip ‘Ford’ pranoi ndër të tjera se ishte ai që transportoi Jani Aliajn në lokalin ku ekzekutoi Çiçon. Makina u sekuestrua nga blutë disa dite me vonë në një parking në zonën e ish-Bllokut.

Emri i tij ka qenë i lakuar edhe më herët në dosjet e policisë. më 30 mars të vitit të kaluar, 37-vjeçari i lindur në Berat është dënuar nga Gjykata e Tiranës për mbajtje pa leje të armëve sportive, si dhe për kanosje të një personi.

EKZEKUTIMI I ÇIÇOS
Çiço u ekzekutua brenda Bar “De Niros” vetëm pak minuta pasi ishte ulur në një tavolinë me dy miqtë e tij, njëri oficer policie, tjetri mjek, dhe në praninë e një gazetari të kronikës.

Sikundër u konstatua edhe nga pamjet filmike të kamerës së sigurisë brenda lokalit, atentatori trup mesatar ishte i mirinformuar për objektivin, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi.

Vetëm 26 ditë më vonë Policia e Shtetit në një dalje publike bëri të ditur emrat e personave të dyshuar si ekzekutues të Çiços. Ndërsa Renato Milloshi u dorëzua dje Jani Aliaj, vijon të jetë në kërkim nga Policia.

SI NISI HAKMARRJA ÇIÇO-ALIAJ

Hakmarrje për shkak të konflikteve të kahershme mes tyre. Kjo ishte pista kryesore e vrasjes së Elton Çiços. Konfliktet mes Çiços e Aliajt ishin hapur prej vitsh dhe zanafillën e kanë në Greqi, për çështjet e pazareve të drogës.

Për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve, herë pas here ka pasur tentativa për të eliminuar njëri-tjetrin, por që kanë rezultuar të dështuara.

Mësohet se Elton Çiço dhe Jani Alia kanë qenë në të njëjtin burg në Greqi, ku Aliaj ka qenë i dënuar me 18 vite burg për vrasje, por ka kryer vetëm 10 vite pasi është arratisur, ndërsa Çiçoishte dënuar për drogë. Pas një sherri mes tyre Çiço e plagosi me thikë Jani Aliajn, duke bërë që konflikti të vijojë.

Tentativa e parë
Ja si ndodhi sipas njoftimit të policisë, atentati i parë ndaj Jani Aliajt në Tiranë:
“Më datë 10.01.2015, në rrugën e “Kavajës”, kanë qëlluar disa herë më armë zjarri. Nga të shtënat është thyer një xham i vetratës së një lokali bar kafe dhe është dëmtuar lehtë shtetasi A.Q., 27 vjeç, banues në fshatin Lalar, Fier, i cili ka qenë rastësisht në lokal.

Në vendngjarje me cilësinë e provës materiale, u gjetën e u sekuestruan 6 gëzhoja fisheku dhe 3 predha plumbi. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorëve. Nenet 274, 278, 150 dhe 90 të Kodit Penal”.

Tentativa e dytë

Kjo është tentativa e dytë që iu bë në Gjirokastër, sipas njoftimit të policisë:
“Më datë 25.04.2016, u referua materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, pasi më datë 24.04.2016, rreth orës 22:30, në rrugën Ura e lumit – lagjja “Punëtore”, nga një mjet i paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Volksvagen Polo”, me drejtues shtetasin S.M., e pasagjer J.A., 43 vjeç e 39, banues në Tepelenë, për pasojë është plagosur lehtë J.A. Punohet për gjetjen e mjetit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nenet 76, 22 e 278 të Kodit Penal. Komisariati i Policisë Tepelenë”

Jani Aliaj rezulton të jetë person me precedentë penal, i shpallur në kërkim nga drejtësia greke për arratisje nga burgu, ku vuante dënimin për vrasje.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb