Një ekzekutim barbar në Durrës ka marrë jetën e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, të cilët jetonin në Shkozet, por me origjinë ishin nga Puka.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb” se hetimet kanë zbuluar se vëllezërit Haxhia kanë pasur kontakte telefonike me persona që janë të dyshuar për vepra të rënda kriminale në qytetin e Durrësit dhe Fushë Krujës.

Ndërsa gazetarja Klodiana Haxhiaj raporton se ekspertët e policisë janë duke pyetur pronarët e mjeteve, pasi dyshohet se ekzekutorët e paidentifikuar, që kanë qenë dy persona, kanë qëndruar në një prej makinave duke pritur dy vëllezërit, ku u bë edhe ekzekutimi.

Policia sot është kthyer sërish në vendngjarje. Efektivët e Komisariatit të Durrësit janë në terren. Nga hetimet e djeshme, ka dalë se gjurmët e të shtënave janë edhe në zona të tjera. Kur ka ndodhur ngjarja, tregu ka qenë i mbyllur.

Policia e Durrësit ka kërkuar nga kompanitë telefonike tabulatet e viktimave, që të shikojnë se kush i ka marrë në telefon. Mendohet se ka qenë një vrasje barbare, pasi janë shtënë shumë plumba. Autorët do të thotë se kanë qenë të organizuar. Policia ka fokusuar vëmendjen tek konfliktet e mundshme të vëllezërve.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb