ITALI– Një nga bosët e mafies siçiliane është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e sotme në Palermo të Italisë. Giuseppe Dainotti, 67 vjeç, u qëllua me 2 plumba në kokë, ndërsa po udhëtonte me biçikletë përgjatë një rruge në Palermo.

Bosi i mafies siciliane, ‘Cosa Nostra’ u vra një ditë para 25-vjetorit të vrasjes së gjyqtarit të njohur antimafia Giovanni Falcone së bashku me bashkëshorten e tij. Në atë kohë “Cosa Nostra” shpërtheu 600 kilogramë eksplozivë gjatë kalimit të makinës së tyre, jo shumë larg Palermos.

“Është shpejt për të bërë hipoteza, por kur ndonjë thotë se mafia nuk ekziston më, ndodh diçka për të konfirmuar se mafia ekziston ende. Vrasja e Dainottit, në mes të Palermos, më 22 maj, mund të ketë shumë kuptime”- tha prokurori i Palermos, Francesco Lo Voi.

Giuseppe Dainotti ka qenë më parë për një kohë të gjatë në burg për vrasje, trafik droge dhe vjedhje, por u lirua në vitin 2014. Policia dyshon se ai u vra nga rivalët brenda ‘Cosa Nostra’ per shkak të luftës për terrenin e drogës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: