Një element shumë i rëndësishëm për Elbasanin do të jetë rikthimi i tifozëve në shkallët e “Elbasan Arena”.
Pas shlyerjes së gjobës nga klubi, AF Elbasani do të ketë sërish mbështetjen e publikut në stadium. Prania e tifozëve pritet të krijojë një atmosferë tjetër dhe t’i japë skuadrës një avantazh të rëndësishëm emocional në një ndeshje të vështirë.
Edhe trajneri Gvozdenoviç e vlerëson maksimalisht këtë faktor, duke e konsideruar mbështetjen e tifozëve si një armë shtesë për ekipin në përballjen me kampionen në fuqi.
Për AF Elbasanin, kjo sfidë është më shumë se një ndeshje e radhës. Është mundësia për të reaguar pas një starti pa fitore, për të rikthyer besimin dhe për të dhënë një sinjal të fortë se skuadra është gati të luftojë për objektivat e sezonit.
AF Elbasani dhe Egnatia do të përballen të dielën në “Elbasan Arena”, në orën 18:30, në kuadër të javës së katërt të Abissnet Superiores.
Verdheblutë do të kërkojnë fitoren e parë të sezonit, ndërsa rikthimi i tifozëve pritet ta bëjë edhe më të veçantë atmosferën në stadium.
Në Elbasan pritet një përballje me intensitet, ku skuadra vendase do të synojë të shfrytëzojë faktorin fushë, mbështetjen e publikut dhe dëshirën për reagim për të ndalur kampionen Egnatia dhe për t’i dhënë kampionatit verdheblu kthesën e shumëkërkuar.
