NGA FATMIRA NIKOLLI
TIRANE-Pas tërheqjes së këngës së parë me të cilën Elhaida Dani do të përfaqësonte Shqipërinë në Eurosong, kënga e re është pothuaj gati. Ka përfunduar regjistrimi i saj me melodinë e “Zapp and Chris” dhe tekst të Sokol Marsit dhe ndërkohë pothuaj janë drejt fundit edhe xhirimet e videoklipit të saj.

Kënga pop baladë do të mund të dëgjohet nga publiku pas përfundimit të klipit. Në fakt, kënga e re e kompozuar së fundmi, njihet vetëm nga grupi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të Elhaidës dhe stafit të “RTSH”-së, e cila ka të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në Eurosong. Deri më tani, mund të themi se në klip, do të mund të shohim Elhaidën edhe në një makinë policie, edhe në një skenë aksidenti në një natë me shi. “GSH” boton sot foto nga klipi gjatë punës që po bën grupi i xhirimit. Sigurisht, ajo është ende në punë e sipër. Edhe vetë teksti i këngës “Alive” i kushtohet dashurisë, mallit dhe i referohet natës, ashtu si edhe agimit e diellit. Stafi i “RTSH”-së, tha dje për “GSH” se, “ndonëse kënga flet për një histori dashurie, ne kemi dashur ta zgjerojmë pak në ndjenjë. Pra kemi dhënë dashurinë, punën, forcën e femrës, duke e dhënë në pozicione të ndryshme jete”.

Sipas informacioneve të para, skenat përkojnë me profesione të ndryshme jetike të femrave shqiptare, disa herë edhe pak të “burrëruara” për nga forca që duhet për të përballuar disa profesione. “Në çdo skenë femra shkrihet me Elhaidën, e cila bën një pjesë të këngës në vendin ku ka qëndruar ajo më parë. Në çdo personazh, kur kamera afrohet shohim që ka rënë një lot, por që shpesh kthehet dhe mbase një buzëqeshje shfaqet”.

Në fund të videos, tregohet gjithashtu Elhaida në një skenë ku ulet dhe banda e saj po bëhet gati, duke treguar edhe profesionin e saj, artisten, këngëtaren, por as ajo nuk është kursyer dhe si këngëtare i shfaqet një pikë loti. “Loti në këtë rast personifikon forcën dhe brishtësinë e femrës në çdo situatë, edhe pse mund të jetë i padukshëm”, thotë stafi realizues.

Teksti i këngës

Titulli: Në jetë!
(English: I’m alive)

Hëna prapë rrëshqiti mbi xham
është natë e bardhë, por ty jo s’të kam…
Buzët mbeten bosh e dot s’të than
do kthehesh prapë, ta djeg këtë mall…

Strofa 2
Prapë të ndjej
fryma po më mbahet fjalët nuk i gjej
orët shkojnë, dita po agon.

Ref
E di do të vish, si diell në mëngjes
të kam motiv, të kam ty shpresë
ëndrrat m’i fik, e dritat m’i ndez
me ty jetoj… ty të kam jetë
ty të kam jetë…
me ty jetoj, ty të kam diell.

Strofa 3
Avujt shkrijnë kristalet ngadalë
dhe emrin tënd formojnë ato mbi xham…
më verbojnë, e dua si e çmendur të thërras..
Ti ku je? Dua të të ndjej.

Ref…………………..

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: