Muaji i mjaltit mes Karlo Ançelotit dhe Realit të Madridit ka nisur ta humbasë atë ëmbëlsinë e vet. Shkak mund të bëhet qoftë edhe një ndeshje e humbur. Ndonëse Reali është në garë në disa fronte teksa ka fituar dhe Superkupën e Spanjës, fiksimi i këtij klubi, Liga e Kampioneve, mund të shkatërrojë gjithçka të mirë të bërë nga trajneri italian.

Gazeta katalanase “Sport” ka bërë me dije se e ardhmja e Karlo Ançelotit te Reali i Madridit mund të rrezikohet jo pak nga një eliminim i mundshëm i “Los Blancos” në 1/8 e finaleve në Champions. Natyrisht që nuk flitet për një hap të menjëhershëm të presidentit Perez. Por në rast se Reali dështon të kualifikohet përballë PSG-së, me shumë gjasa në verë presidenti i klubit mund të marrë vendimin për t’i dhënë duart Karlo Ançelotit.

Florentino Perezit nuk i ka pëlqyer aspak ajo çfarë ka parë nga tribuna e “Parc des Princes”. Një Real që ngjante me skuadrat e Murinjos vite më parë, që kishte parkuar autobusin para portës së vet. Një Real që nuk ka bërë asnjë goditje në portë. Florentino Perez nuk duket shumë i bindur për t’i besuar Ançelotit udhëheqjen e një projekti të ri në Madrid. Gazeta “Sport” ka kujtuar se Ançeloti u caktua në stolin e Realit si një zgjedhje emergjente pas largimit të Zidanit.

Por, në hierarkinë e klubit nuk janë shumë të kënaqur me nivelin e lojës të shfaqur nga Reali i Ançelotit. Për më shumë imazhi i Realit pësoi një goditje të fortë në Paris, në humbjen e ndeshjen së vajtjes në 1/8 e finaleve në Champions. Reali u dorëzua pa kushte përballë PSG-së dhe kjo nuk përjashton ndonjë lëvizje në verë.

Pavarësisht se Reali komandon në La Liga dhe Ançeloti mund të arrijë të kthejë titullin në “Bernabeu”, dihet se Liga e Kampioneve përdoret si njësi matëse nga presidenti Perez. E nëse madrilenët nuk ia dalin kundër PSG-së, kjo mund të ndryshojë rrënjësisht karrierën e Ançelotit në Madrid. Madje, Perez e ka gati zëvendësuesin, ai quhet Maurisio Poçetino.PANORAMASPORT.AL