Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se me projektin për transformimin e portit të Durrësit në një port jahtesh do të vjedhë rreth 90% të vlerës së investimit.

“Vetëm trualli në pozicion më të avancuat të qytetit të Durrësit kushton jo më pak se tre miliarderë euro me çmimin aktual. Nëse pronarët e truajve në Shqipëri japin truallin për zhvillim ndërtuesve sipas zonave me një përqindje nga 20% dhe në zonat më të mira 40 deri në 50%, Edi Rama iu len shqiptarëve vetëm 10% të fitimit, shpërblim. Dhe merr vetë me kompaninë e Emaarit Rama 90% të vlerës. Ky është një super skandal, tejkalon çdo lloj imagjinate. Por a është vetëm kjo gjoba e shqiptareve që bën Edi Rama me këtë aferë. Jo është vetëm një pjesë e saj se gjoba më e rëndë është që i privon nga porti shekullor. Ai ka shpallur se do ndërtojë një port të ri që shkon afërsisht dy milionë euro. Pra shqiptarët duhet të paguajnë me taksat e tyre një port të ri dy milionë euro në Porto Romano, që Edi Rama me kompanitë off-shore të Emaarit apo StërEmaarit të përvetësojë 1.5 milionë metër katrorë të portit dhe 90% të sipërfaqes së ndërtimit”, tha Berisha.

Në vijim, ish-kryeministri nënvizoi se Rama do ta ketë të pamundur të ekzekutojë këtë “veprim mafioz”, pasi porti i Durrësit është i një rëndësie të veçantë strategjike për NATO-n dhe për ndryshimin e destinacionit të tij duhet edhe konfirmim nga ana e Bashkimit Europian.

“Dua t’i them Edi Ramës, aksionerëve të fshehtë të kësaj kompanie dhe përfituesve fundorë se ju që veproni kështu jeni mafiozë dhe nuk do të përfitoni pasurinë e shqiptarëve në Portin e Durrësit. Ai është porti i një vendi anëtarë të NATO-s dhe kandidat për në BE. Është i një rëndësie strategjike dhe ndryshimet e destinacionit të të cilit nuk mund të bëhen pa një mbështetje të NATO-s dhe një përjashtim të BE-së. Por Rama nuk njeh kufij, ai ëndërron vetëm një multimiliarder me pasuritë e shqiptarëve”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb