Durim Keçi, i cili brenda 48 orëve duhet të deklarojë pasurinë e tij para Operacionit Forca e Ligjit, është një emër i përfolur për drejtësinë. Emri i të ‘fortit’ të Shijakut u përfol shumë në 2018-ën, kohë në të cilën ai u lirua nga burgu.

Durim Keçi u ndalua më 11 tetor të 2017-ës në Durrës me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ndërsa u bë i njohur edhe në debatet mes politikanëve. Kryeopozitari Lulzim Basha në atë kohë tregoi fotot të tij me deputetë socialistë, duke akuzuar fort se mazhoranca mbante afër kriminelët, ndërsa kryeministri Rama publikoi foto të Durim Keçit që shfaqej te çadra e protestës së demokratëve.

Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovës, Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale”: Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Krime me armë kundër personit”,”Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Në Itali, 42-vjeçari konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm të mafies shqiptare. Madje, gjatë një seance gjyqësore të asaj kohe, Durim Keçi, i cili ka përdorur edhe emrin Gëzim Hajidini, ka kërcënuar prokurorët e Antimafias italiane. Duke parë nga prokurorët Francesca Nanni dhe Silvio Franz, ai tha: “Ata të dy do t’i bëj të ma paguajnë shtrenjtë!” Në vitin 2006 në Itali, ka qenë i pandehur në një proces gjyqësor, por u lirua nga qelia për një gabim burokratik dhe ndaj tij vendoset një masë më e zbutuar sigurie. Nga masa e arrestit më burg, ai u la në ‘detyrim paraqitje’ dhe kështu u arratis. Gjatë kësaj kohet Durim Keçi jetonte në Shqipëri.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: