Anëtari i Kryesisë së PD foli edhe për raportin e DASH dhe shqetësimet e ngritura lidhur me korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet e drejtësisë dhe sistemin gjyqësor. Në rubrikën “Opinion” me moderatoren Ola Bruko, Hoxha vlerësoi se emisioni investigativ Vetting që transmetohet në News24 çdo të enjte në orën 20.00, ka zbuluar një mori zyrtarësh të lartë të cilët fshehin pasuritë dhe abuzojnë me fondet publike.

Hoxha kritikoi SPAK-un se nuk vepron pas denoncimeve të mediave dhe opozitës për zyrtarët e korruptuar. Gjithashtu, Sekretari i PD për Diasporën rendi edhe institucionet që sipas tij janë të korruptuara nga Tatimet, Doganat, ARRSH dhe ministritë.

“Ky televizon të cilin dua ta përshëndes, emisioni Vetting ka bërë disa investigime shumë të rëndësishme se si zyrtarë të lartë të kësaj qeverie fshehin pasuritë e tyre, abuzojnë me taksat e shqiptarëve, Prokuroria nuk vepron. Çfarë duhet të presë Prokuroria që të veprojë? E ka të lehtë, të marrë dokumentacionin nga investigimet dhe t’i çojë para drejtësisë. Kjo gjë të marrë fund njëherë e mirë. Kushdo që ka vendosur dorë në taksat e qytetarëve shqiptarë duhet të japë llogari para drejtësisë”, tha ai.

Indrit Hoxha: “Unë isha i çuditur për diçka te raporti i DASH, nuk ka cituar që këta e kanë perfeksionuar vjedhjen në Shqipëri. Titullarët krijojnë kompani, tenderojnë punët publike dhe i fitojnë vetë punët publike. Taksat e shqiptarëve ngelin në duart e 4-5 personave. Siç është edhe rasti i 5D-së në bashkinë e Tiranës. Qytetarët po protestojnë çdo të premte para bashkisë Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë. Këtu ka një çudi shumë të madhe, çdo titullar institucioni nuk mban përgjegjësi për veprimet e vartësve të tij. Këta thonë kanë ngrënë kumbulla, dardha…bëjnë koka turku 2-3 drejtorë dhe më pas zinxhiri i korrupsionit vijon sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Jo vetëm në bashki, por edhe në Tatime, Dogana, Drejtorinë e Rrugëve, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë – nuk ka një institucion sot të këtij vendi që nuk është akuzuar për korrupsion. Kjo është detyra e Prokurorisë së Posaçme. Reforma në Drejtësi u votua me 140 vota për të luftuar korrupsionin në institucionet e larta. Mjafton që SPAK të marrë raportet e KLSH ndër vite për të parë si është abuzuar me taksat e shqiptarëve. Në 10 vite kemi mbi 20 mld euro dëm në buxhetin e shtetit sipas KLSH. Kaq mjafton që SPAK të nisë hetim për çdo zyrtar nga kryeministri i vendit dhe deri te nëpunësi më i thjeshtë që ka firmosur dhe abuzuar me taksat. Ky televizon të cilin dua ta përshëndes, emisioni Vetting ka bërë disa investigime shumë të rëndësishme se si zyrtarë të lartë të kësaj qeverie fshehin pasuritë e tyre, abuzojnë me taksat e shqiptarëve, Prokuroria nuk vepron. Çfarë duhet të presë Prokuroria që të veprojë? E ka të lehtë, të marrë dokumentacionin nga investigimet dhe t’i çojë para drejtësisë. Kjo gjë të marrë fund njëherë e mirë. Kushdo që ka vendosur dorë në taksat e qytetarëve shqiptarë duhet të japë llogari para drejtësisë“.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb