TIRANË

Policia Rrugore bllokon një automjet që transportonte kubikë të kultivuar me fara cannabis sativa. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë të vendosura në autostradë, për konstatimin e shkeljeve rrugore, nisur dhe nga dyshimet e krijuara mbi lëvizjet e dyshimta të një drejtuesi mjeti, i kanë dhënë atij shenjë për të ndaluar.

Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe është munduar të devijojë nga rruga, por pas ndjekjes është bllokuar nga Policia Rrugore.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në bagazhin e këtij mjeti, kubikë të kultivuar me fara kanabisi.

Gjatë tentativës për t’iu shmangur shërbimeve të Policisë, pasagjeri është hedhur nga automjeti dhe ka mundur të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia.

Ndërsa drejtuesi i automjetit, shtetasi Enkled Domi është kapur gjatë ndjekjes nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Enkled Domi, 30 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit Arsen Kotorri, 29 vjeç.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Policia Rrugore ka bllokuar automjetin me drejtues shtetasin Enkled Domi i cili u arrestua në flagrancë pasi u kap duke transportuar rreth 280 kubikë të kultivuar. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Arsen Kotorri, i cili ishte pasagjer në mjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb