Detaje të reja janë zbardhur nga goditja e bandës shqiptare të trafikut të drogës nga Holanda në Itali.

Mediet fqinje raportojnë se “koka” e kësaj bande kriminale ishte shqiptari Lulzim Daiu, i cili sipas policisë italiane shihet si përgjegjës për drejtimin dhe organizimin e importeve, koordinimin e marrëdhënieve midis transportuesve të drogës jashtë vendit dhe korrierëve përgjegjës për transportin dhe shpërndarjen në Itali.

Policia italiane ka vënë në pranga 17 anëtarë të bandës shqiptare, e cila trafikonte kokainë drejt kryeqytetit të Italisë, Romës.

Arrestimet e tyre u bënë në kuadër të operacionit të koduar “Shqiponja e Zezë”, zhvilluar nga policia e Romës në bashkëpunim me Antimafian italiane.

Në këtë operacion, janë sekuestruar rreth 200 kilogramë kokainë dhe armë. Banda shqiptare, dyshohet se shpërndante lëndën narkotike në sheshet kryesore të Romës. Hetimet vijojnë ende.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb