TIRANË

Përmes organizatës që drejton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, (National Endowment for Democracy), presidenti i saj Damon Wilson shpëtoi 290 refugjatë nga ferri i Afganistanit kur talebanët morën në dorë vendin në gusht.

Në një interviste per News24, Wilson vlerëson mikpritjen dhe bujarinë e shqiptarëve si dhe vlerëson qëndrimin e qeverisë Rama, e cila ishte ndër të parat në botë që iu përgjigj thirrjes për të pritur afganët, të cilët i konsideron elita e Afganistanit. Wilson tregoi se procesi që afganët do u duhet te presin për të mbërritur në Shba zgjat deri në 2 vite.

Me një karrierë brilante në Shtëpinë e Bardhë e më pas në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Wilson punoi fortë që Shqipëria të anëtarësohej në Aleancë , thotë se është i mbushur me krenari që vendi ynë mbështeti Amerikën kur u gjend në momentet më të vështira. Shqipëria është ndër të rrallët vende në botë që ju bë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më poshtë intervista që Wilson i dha gazetares së News24 Aurora Golemi.

Wilson faleminderit që pranuar ftesën tone për të folur sot për News24. Jemi të lumtur që ju kemi këtu

 Damon Wilson: – Faleminderit Aurora, është një kënaqësi që jam këtu me ju dhe me publikun shqiptar

Kryeministri ynë Edi Rama u zotua përpara samitit të NATO-s në qershor të këtij viti se Shqipëria do të strehonte refugjatët afganë. Më vonë Rama përmendi se kërkesa kishte ardhur nga dy organizata të shoqërisë civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A ishte njëra prej tyre organizata juaj?

Po Aurora, unë jam Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i National Endowmen for Democracy. Pra, pikë së pari, ke të drejtë. Kryeministri Rama ishte në pararojë krahasuar me vende të tjera, udhëheqës të tjerë, duke pasur si të thuash largpamësinë strategjike për të kuptuar që do të ndodhte kjo lloj katastrofe, që do ta bënte të nevojshme që të gjendej një mënyrë strehimi për shumë nga partnerët tanë afganë. Ai tregoi largpamësinë që duhej për ta parashikuar këtë nevojë, por mendoj që tregoi po ashtu edhe lidershipin politik, aftësinë dhe bujarinë që duhej për ta vendosur Shqipërinë në një pozicion ku do të kishte mundësinë të mirëpriste partnerët tanë afganë. Me sa di unë, NED ishte një nga disa organizata që kontaktuan kryeministrin. Unë kam pasur mundësinë të punoj me të edhe më parë, dhe kam një histori të gjatë përfshirje me Shqipërinë dhe kur pamë se çfarë po ndodhte në Kabul, e kontaktova kryeministrin mjaft herët dhe ai pa humbur kohë pranoi të mirëpriste partnerët afganë të NED në Shqipëri.

 -Në fakt, Shqipëria ishte një nga vendet e para që u vetofrua për të strehuar refugjatët afganë. Shumë  vende të tjera evropiane refuzuan t’i strehojnë ata; madje edhe shtete te mëdha e të pasura  kanë pranuar të presin më pak refugjatë afganë sesa Shqipëria. Çfarë mendimi keni në lidhje me këtë?

Që të jem i sinqertë, kjo është arsyeja përse ndodhem në Tiranë. Kam ardhur për të falënderuar popullin shqiptar. Mendoj që është diçka e jashtëzakonshme ajo që ka bërë ky vend, mikpritja dhe bujaria që ka treguar duke mirëpritur afganët në nevojë. Shumë prej këtyre afganëve kanë qenë drejtuesit më të spikatur të shoqërisë civile apo gazetarë nga më të suksesshmit. Ata kanë qenë partnerë të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, të SHBA dhe të Koalicionit në Afganistan. Dhe po, ke të drejtë, që Shqipëria, më shumë dhe më parë se çdo vend tjetër, veproi në kohë, në mënyrë vendimtare dhe me një ndjenjë mikpritje të jashtëzakonshme. Pata mundësinë të vizitoj komunitetin afgan në Lezhë dhe Shëngjin, aty ku janë vendosur, dhe jam shumë i frymëzuar nga mikpritja shqiptare. Prandaj, realisht jam këtu për t’i thënë faleminderit popullit shqiptar.

-Ka disa zëra jo zyrtarë që kundërshtojnë evakuimin e refugjatëve afganë në Shqipëri. Thonë që ne jemi një vend i vogël i varfër dhe se nuk duam të importojmë problemet e tyre. Çfarë do u thonit këtyre zërave?

Mendoj që ke të drejtë, që ka pasur një opozitë jashtëzakonisht të papërfillshme. Më ka bërë shumë përshtypje që në të gjithë shoqërinë shqiptare, në të gjithë politikën shqiptare, mesazhi që ka dominuar ka qenë mesazhi i mikpritjes dhe bujarisë, dhe kjo është diçka vërtet frymëzuese. Si një qytetar amerikan, që kam qenë i përfshirë në ndërtimin e aleancës mes Shqipërisë dhe SHBA, kur shoh sesi Shqipëria dhe shqiptarët në të gjithë spektrin politik, janë kaq mbështetës ndaj SHBA duke mbështetur këta afganë në një moment kaq të vështirë, ndihem vërtet krenar.

Por, do të ketë gjithmonë kritikë, do të ketë skeptikë, por mendoj që është e jashtëzakonshme që ata janë një minorancë e papërfillshme ndërkohë që shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë qenë mikpritës. Duhet thënë po ashtu që këta janë qytetarë afganë që nuk krijojnë ato sfida të sigurisë që krijojnë zakonisht komunitetet e refugjatëve. Këta janë në shumë mënyra, elita e Afganistanit. Kanë qenë liderë të spikatur të shoqërisë civile dhe medias. Kam pasur mundësinë të kaloj kohë me ta gjatë qëndrimit tim këtu. Karrierat e tyre, kontributi i tyre, profesionalizmi i tyre janë të jashtëzakonshme. Dhe padyshim që është një komunitet refugjates qe ka sfidat e tij, por nuk është një komunitet që sjell me vete rreziqe serioze në aspektin e sigurisë.  

2400 refugjatë afganë janë tashmë në vend, presim të vijmë më shumë. Ata strehohen në resorte luksoze në bregdetin e Shëngjinit. Organizata juaj ka ndihmuar evakuimin e 288 afganëve në Shqipëri. Si vendosët të përfshiheshit dhe t’i ndihmonit nga regjimi i talebanëve. 

Ke të drejtë, nga të 860 afganët që kemi evakuuar, 288 janë në Shqipëri. Të gjithë këta afganë anë pasur një lidhje me NED dhe SHBA. Pra, në radhë të parë, këta janë afganë që kanë punuar për institucionet tona kryesore, IRI, CIPE, që janë pjesë e familjes së NED. Ose kanë qenë partnerë tanë të drejtpërdrejtë apo përfitues të projekteve tona në Afganistan. Pra ne e dinim kë po sillnim. I kishim bërë paraprakisht kontrollet e sigurisë dhe menduam që në kohën e një krize dhe të një katastrofe që po ndodhte përpara syve tanë dhe që pjesa më e madhe e njerëzve nuk arritën ta parashikonin,  ne kishim detyrimin moral të qëndronim në krah të partnerëve tanë, të atyre që kishin punuar me ne për vite e vite me radhë në Afganistan, pra të mos largoheshim e të mos i braktisnim. Këta afganë e zhvilluan një pjesë të madhe të punës së tyre me mbështetjen financiare të taksapaguesve amerikanë. pra Lidhja mes tyre dhe SHBA, përmes NED, është e fortë. Ne i njohim, ne kemi bashkëpunuar me ta dhe ndjemë detyrimin moral të mos i braktisim në një ambient aq të rrezikshëm sa çishte ai i kontrolluar nga Talebanët.

-Sa i vështirë dhe kompleks ishte operacioni i shpëtimit gjatë kësaj vere në Afganistan?

Ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe shumë kompleks. NED është fondacion. Ne japim grante në mbarë botën. Nuk jemi organizatë që merret me operacioni evakuimi për refugjatë. Normalisht nuk bëjmë evakuime dhe kjo s’është aspak normale për ne. Por ne e mobilizuam komunitetin tonë. Mobilizuam institucionet tona dhe krijuam një korridor. I menaxhuam autokolonat në rrugë tokësore në Kabul përmes partnerëve tanë lokalë. Negociuam me qeverinë e Katarit për të na ndihmuar të kalonim përmes postobllokëve të talebanëve. Ndërtuam një marrëdhënie koordinimi me Komandën Qendrore Amerikanë dhe Ushtrinë Amerikanë në Kabul në mënyrë që t’i koordinonim lëvizjet tona në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Kishim partneritete me qeverinë shqiptare, të Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë, gjë që na jepte besim që mund të identifikonim dhe evakuonim njerëzit tanë në vende të treta. Pra ishte një operacion kompleks dhe i vështirë. Madje edhe gjatë asaj kohe një nga autokolonat tona u ndalua prej talebanëve. Dhe kjo është arsyeja përse ne i vazhduam evakuimet edhe pas 31 gushtit, në bashkëpunim me qeverinë amerikane, atë të Katarit e padyshim në partneritet me Qeverinë Shqiptare.

 -Sipas marrëveshjes, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord të strehojnë disa mijëra afganë për të qëndruar përkohësisht në tranzit në këto vende derisa të jenë të qartë për të udhëtuar në destinacionin e tyre përfundimtar, të Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam biseduar me disa afganë në vendin tonë, shqetësimi kryesor i tyre është se sa do zgjasë procesi i aplikimit. Disa prej tyre besojnë se procesi do të zgjasë me vite, cili është afati kohor që mund të marrë procedura?

Ke shumë të drejtë. Shqetësimi kryesor i komunitetit afgan këtu – edhe pse janë shumë mirënjohës për mikpritjen – është që ata duan të jenë të sigurt për të ardhmen e tyre. Ku do të shkojnë. Dhe po, si NED, ne kemi marrë një angazhim përpara qeverisë shqiptare që ne do t’i mbështesim këta afganë që kemi sjellë këtu derisa të zhvendosen që këtu. Dhe po punojmë shumë fort me qeverinë e SHBA për ta përshpejtuar këtë proces dhe përpunimin e këtyre rasteve. Kjo është arsyeja përse keni parë këtu përfaqësues të Kongresit apo drejtues të administratës së Kongresit që kanë ardhur në Shqiperi për të takuar komunitetin afgan. Ky komunitet gëzon një mbështetje të madhe politike në Amerikë. Ne nuk duam që të abuzojmë me mikpritjen e Shqipërisë, por afatet nuk janë në dorën tonë. Ky është një proces i kontrolluar nga qeveria amerikane, konkretisht nga Departamenti i Sigurisë. Ka disa rrugë. Ne kemi autoritetin ligjor për tia referuar të gjithë këto rastet programit amerikan për mbështetjen e refugjatëve. Kemi një proces të quajtur P2 për ata afganë që kualifikohen per viza amerikane sepse kanë punuar për organizata me financim të drejtpërdrejtë nga SHBA. Pra, kemi nisur një proces që do të kërkojë shumë kohë.  

-Për sa kohë bëhet fjalë? Vite?

Ndoshta. Mund të zgjasë 18 – 24 muaj. Por kjo është arsyeja përse ne jemi kaq të vendosur për të gjetur zgjidhje alternative. Ekziston diçka e quajtur huanitarian parole, dhe kjo është ajo për të cilën po punojmë me qeverinë, me mbështetje të fortë nga Kongresi, për të parë nëse afganët që janë në Shqipëri kualifikohen për të marrë këtë leje humanitare duke i përpunuar aplikimet e tyre në një kohë shumë më të shkurtër. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë, por smund të japim premtime sepse nuk është në dorën tonë. Njëkohësisht po punojmë edhe me qeverinë kanadeze dhe po eksplorojmë disa opsione të tjera.

 -Zoti. Wilson, ju keni punuar në përpjekjet humanitare në Ballkan në mes të luftës dhe iu bashkuat më pas Departamentit të Shtetit, duke ndihmuar në zgjerimin e NATO-s si dhe në shmangien e një gjenocidit në Kosovë. A jeni përfshirë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO? Ndoshta mund të ndani me ne disa momente nga ajo kohë…

Kjo është një nga arsyet përse jam krenar që ndodhem në Shqipëri. Jam shumë krenar që Shqipëria është aleati ynë. Dhe jam kaq krenar që shqiptarët janë miq kaq të afërt të SHBA. Ndihem i nderuar që për këtë kam luajtur edhe unë një rol modest. Unë fillova të punoj në Departamentin e Shtetit për Madeleine Albright. Ndihma për të menaxhuar Samitin e Washngtonit në 1999 ku filluam procesin e zgjerimit të NATO, por edhe shkuam në luftë për të ndaluar gjenocidin në Kosovë. Kishte një lidhje shumë të drejtpërdrejtë me karrierën time. Sepse prej aty shkova të punoj me Lordin Robertson në Selinë e Natos si Zëvendësshef i Shtabit për zgjerimin e NATO, por edhe për Afganistanin.  Ndodhesha në Kabul ditën kur NATO mori komandën e Forcës Ndëkombëtare të Asistencës për Sigurinë. Pastaj u ktheva në Shtëpinë e Bardhë dhe punova për Presidentin Bush. Ai erdhi në Shqipëri në një nga vizitat më të jashtëzakonshme të Presidencës së tij. Dhe isha me Presidentin Bush teksa ai nxiti organizimin e Samitit të Bukureshtit dhe ftesën për Shqipërinë për tu anëtarësuar si një aleat. Isha kaq krenar që ndohesha në East Room në Shtëpinë e Bardhë në 2008 kur u nënshkruan proptokollet që pranonin Shqipërinë dhe Kroacinë si aleate të NATO. Pra për mua personalisht, kur shoh sesi në karrierën time ndihmova për të integruar Shqipërinë si aleate, sesi punova në Afganistan, dhe të shoh që të gjihë këto fije bashkohen në momentin që Shqiperia si një aleat i jashtëzakonshëm i SHBA, në momentin kur SHBA kanë një problem dhe kanë nevojë për ndihmë për të sistemuar partnerët e tyre afganë, dhe Shqipëria ndodhet aty, në vijën e parë, duke thënë po, do ju ndihmojmë, është një ndjesi kaq e mirë. Është kaq frymëzuese dhe kjo është arsyeja përse doja të vija vetë për të falënderuar popullin shqiptar.

-Cili është mendimi juaj  në lidhje me demokracinë në rajonin e Ballkanit tani? Në ditët e sotme, ka një lloj shqetësimi për rritjen e ndikimit rus në këtë rajon . Keni një koment në lidhje më këto shqetësime? 

Pra, shikoni, unë mendoj se forcimi i demokracive tona, gjë për të cilën po punon vetë vendi im, është një projekt i vazhdueshëm dhe është ajo që në fakt na bashkon si kombe të lira dhe një aleancë vendesh të lira. Por forcimi i demokracisë sonë është gjithashtu siguria jonë, dhe kjo është ajo që në fakt na bën të fortë dhe na ndihmon të mbrohemi nga ndikimet e jashtme. Pra, në National Endowment for Democracy, unë jam kampion krenar dhe partner i shoqërisë civile dhe medias. Organizata jonë punon përreth gjithë botës në 100 vende duke mbështetur shoqërinë civile, duke mbështetur mediat e pavarura sepse kjo është shtylla se si shoqëritë qëndrojnë të forta dhe të lira. Dhe prandaj jam vërtet krenar që fondi ka qenë në Ballkan, është i përkushtuar për të qenë në Ballkan dhe ne mund të shikojmë një përpjekje reale se si të forcohet. Ju keni parë këtu në Shqipëri evoluimin e reformës në drejtësi, forcimin e shtetit të së drejtës. Këto janë gjëra të vazhdueshme që kërkojnë vëmendje dhe kujdes. Dhe kështu jam i shqetësuar për Ballkanin në përgjithësi sepse dua BE-në këtu. Unë dua Shtetet e Bashkuara këtu. Dua të shoh shoqërinë civile të rritet në rajon. Ne kemi pasur disa sfida, pa dyshim sfida politike, sfida gjeopolitike. Por këtu shikoj që një vend si Shqipëria që është në gjendje të tejkalojë pritshmëritë dhe përpiqet të udhëheqë me reformat e veta. Dhe kështu ky është një projekt i cili është i papërfunduar. Kemi punë për të bërë këtu, dhe ajo fillon me forcimin e demokracisë në vend. 

-Kemi ne liderë të fortë në rajonin e Ballkanit? Si Gjukanovic, Rama apo Vuçiç?

Po, absolutisht. 

Kemi nevoje per liderë te forte?

Ju keni liderë të fortë këtu. Shiko, kjo është e bukura e demokracisë, sepse varet. Duhet të kesh cilësi në lidership, por të duhen edhe institucione, të duhet shoqëria civile, të duhet media. Dhe së bashku ata luajnë një rol për të mbajtur, për të mbajtur demokracinë të gjallë dhe të shëndetshme. Mendoj se e kemi parë këtë test stresi në shumë demokraci, duke përfshirë këtu Ballkanin. Dhe mendoj se është një nga gjërat që është vërtet e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë në Evropë, të ardhmen e saj si aleate amerikane dhe të ardhmen e saj si lider në rajon është mënyra se si ajo vazhdon të forcohet këtu në këtë vend.

 – A ka regjime specifike në botën e sotme që ne mund t’i konsiderojmë një kërcënim për demokracinë globale?

Unë mendoj se ne duhet të kuptojmë se ne tani vërtet po përballemi me një sfidë të madhe midis demokracisë dhe autokracisë. Ajo nxitet, para së gjithash, nga ngritja e një Kine të udhëhequr nga një Parti Komuniste që po ndihmon vërtet për të sfiduar shumë nga premisat e shoqërisë sonë të lirë. Përkeqësohet nga një Rusi që po kërkon të zhbëjë shumë nga përfitimet e periudhës së pas Luftës së Ftohtë. Dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse ne duhet ta marrim seriozisht demokracinë tonë dhe duhet të ndihmojmë të mbrohemi. Qëndrueshmëria e demokracive tona, teksa tani jemi në një luftë të madhe midis demokracisë dhe autokracisë. Kjo është arsyeja pse liderët kanë përgjegjësinë të tregojnë se demokracia mund të japë rezultate. Është rruga më e mirë për dinjitetin njerëzor, për një ndjenjë prosperiteti dhe sigurie, dhe ne kemi një përgjegjësi për të luajtur të gjithë rolin tonë për të treguar se demokracia është mundësia më e mirë për t’u qeverisur në një mënyrë që mund të japë rezultate për njerëzit, gjë që është duke u testuar dhe duke u sfiduar pikërisht tani nga Kina. Në mënyra të ndryshme nga Rusia. Por kjo është gjithashtu arsyeja pse ne duhet ta mbajmë veten përgjegjës dhe të vazhdojmë të punojmë për të forcuar demokracitë tona, ekonomitë tona si pjesë e këtij procesi.

-Çfarë mund të mësojë një shtet si Shqipëria nga demokracia amerikane, pavarësisht sfidave të saj?

Epo, shikoni, një nga gjërat e bukura të organizatës sime, Endowment for Democracy, është se ne nuk jemi amerikanë që paraqitemi sa për të thënë, ja se si duhet ta drejtoni demokracinë tuaj. Unë mendoj se shumë njerëz e dinë se demokracia jonë në Shtetet e Bashkuara është e ndërlikuar dhe e koklavitur dhe funksionon për kulturën dhe vendin tonë. Ne kemi sfidat tona me të cilat po punojmë tani. Por kjo është bukuria. Ne e mbajmë veten përgjegjës. Ne jemi një mekanizëm vetë-korrigjues. Ne bëjmë gabime, por mund t’i rregullojmë. Dhe kjo është fuqia e modelit amerikan. Ne do të bëjmë gabime dhe pastaj njerëzit tanë do të na kërkojnë llogari dhe ne do të dalim më të fortë. Kështu që mendoj se ky është shembulli. Shqiptarët duhet ta kuptojnë vetë këtë me mbështetjen tonë se si. Po ju mund të bëni gabime, po, mund të ketë sfida. Por si ka një ndjenjë përmirësimi të vazhdueshëm? Dhe mendoj se kjo është me të vërtetë një detyrë që ne të gjithë duhet ta zotërojmë. Dhe kështu ne nuk jemi këtu për t’i thënë Shqipërisë se çfarë të bëjë, por ne duam të mbështesim shqiptarët në rrugëtimin e tyre, të mbështesim shqiptarët që po luftojnë për ta bërë këtë më të fortë, një demokraci më të fortë, një partner më të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Dhe unë jam i bindur se ky është drejtimi në të cilin do të shkojmë.

Zoti Wilson, ishte një kënaqësi e madhe të bisedoja me ju. Faleminderit që ndatë kohën me ne !

Dua të them përsëri. Unë i jam shumë mirënjohës popullit shqiptar. Mikpritja, bujaria, ky vend, kjo kulturë. Populli shqiptar është njohur me vështirësinë. Trauma e periudhës komuniste, përvoja që kaloi ky popull me sfidat në një mjedis postkomunist i cili kishte qenë me gropa. Folëm për vitin 1999. Pata një ndikim kaq të madh këtu që ky vend kaloi një konflikt civil. Kaloi përmes një skeme piramidale. Kaloi nëpër sfida të vërteta. Dhe të shohësh këtë vend të hapë krahët, të hapë shtëpitë e saj për njerëzit në vështirësi në Afganistan, është kaq frymëzuese. Është kaq e bukur. Dhe thjesht e bën Amerikën, më bën krenare që e kemi popullin shqiptar si një aleat kaq të ngushtë të Shteteve të Bashkuara. Ka pak aleatë më të afërt, pak njerëz që sjellin më shumë ngrohtësi dhe bujari për popullin amerikan se sa shqiptarët.

Dhe në këtë kohë krize për Shtetet e Bashkuara dhe Afganistanin, jam shumë krenare që kemi popullin shqiptar si partner për të na ndihmuar në këtë kohë vërtet të vështirë. Faleminderit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: