Policia e Shkodrës ka arrestuar një shtetas me origjinë nga Kazakistani me shtetasi gjermane, i akuzuar për trafik droge. Ai u arrestua teksa po tentonte të dilte nga territori shqiptar drejt Malit të Zi.

I riu i ka treguar policëve kur u arrestua se në Shqipëri ka ardhur para tre muajsh me qëllim për të rregulluar dhëmbët.

Ndërkohë Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditor. Shtetasi me inicialet A.K, 32 vjeç ka deklaruar përpara grupit hetimor se pasi ka mbërritur në aeroportin e Rinasit para tre muajsh ka marrë një shtëpi me qira në Durrës dhe ka patur për qëllim që në një prej klinikave dentare në Shqipëri të rregullojë dhëmbët. Kjo pasi sipas deklarimeve të tij kishte dëgjuar se shërbimi dentar në Shqipëri është shumë më i lirë se në Gjermani.

Shtetasi A.K u ndalua në pikën kufitare të Muriqanit dhe efektivët verifikuan sistemin TIMS ndërsa ka rezultuar si një person problematik i vlerësuar me kartelë të kuqe çka tregon një historik jo të mirë të tij dhe që lidhet me kriminalitetin.

Për 32 vjeçarin Gjykata Lokale e Keptenit në Gjermani ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” i dyshuar për veprën penale “trafik dhe tregti droge”.

Gjykata gjermane vendosi masën e sigurisë më 27 prill të këtij viti ndërsa shtetasi A.K ka hyrë në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit më 24 prill. Pra 3 ditë më përpara ka lënë Gjermaninë duke ardhur në Shqipëri.

Ndërkohë deklaroi për policinë e Shkodrës së në Durrës e ka patur të pamundur të gjejë adresën e klinikës dentare duke mos arritur që të rregullonte dhëmbët gjatë këtyre tre muajve të qëndrimit në Shqipëri.

Pas arrestimit në pikën kufitare të Muriqanit 32 vjeçari është dërguar në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe nën masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditor.

Ndërkohë pritet që ky person me shtetësi gjermane dhe origjinë nga Kazakistani të ekstradohet në Gjermani sapo në Gjykatën dhe Prokurorinë shqiptare të mbërrijë letërporosia ndaj tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb