E gjitha duket si një skenë filmi, me arratisje në këmbë nëpër fusha dhe me kontrolle nga ajri me helikopterë.

Por në fakt, kjo ka ndodhur në Britani dhe protagonist ka qenë një shqiptar. Mediat britanike shkruajnë se 27-vjeçari Esmerald Xhafa, braktisi makinën e tij tip “BMW” në një autostradë të Sheffield dhe iku me vrap nëpër fushat përbri rrugës.

Policia nga ana tjetër, ndoqi çdo lëvizje të të riut nga ajri me helikopterë, derisa arriti ta arrestonte. Pas kontrolleve në mjet, Policia gjeti dy kuti brenda së cilës ishin më shumë se 15 kg kanabis dhe 273 paund.

I riu ndodhet aktualisht në ambientet e paraburgimit dhe ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të policisë. Policia pas arrestimit, i ka shtrirë kontrollet dhe në apartamentin ku jetonte Xhafa, ku ka gjetur 56 bimë kanabisi në papafingo.

Xhafa është akuzuar nga një Gjykatë angleze për posedim droge dhe prodhim kanabisi. Avokati mbrojtës i të riut, i quajtur Chris Moran, ka thënë para togave të zeza, se shqiptari, ndodhej në Angli për një jetë më të mirë për veten dhe familjen, ndaj ndoqi dhe këtë rrugë.

Ai ka shtuar, se Xhafaj ka tentuar disa herë të hiqte dorë, por eprorët, e detyronin të qëndronte i nënshtruar ndaj tyre dhe të mos braktiste biznesin. Pas këtyre dëshmive, Gjykata vendosi të dënojë shqiptarin me 28 muaj burg.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb