STAMBOLL- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se çështja e Sirisë nuk ishte më një kërcënim lokal apo rajonal, por ishte shndërruar në një kërcënim global.

Gjatë një fjalimi në Konferencën X të shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve ballkanike për çështjen e luftës kundër ISIS-it, Erdogan shtoi se shumë vende kishin pritur që për çështjen siriane gjithçka të bëhej nga Turqia.

“Luftën e Turqisë kundër ISIS-it nuk e bën asnjë shtet tjetër. Asnjë shtet në botë nuk ka pësuar aq humbje sa ne”, theksoi ai.

“Ne kemi pritur tre milionë sirianë dhe irakianë që janë larguar nga lufta dhe persekutimi. Turqia aktualisht po kryen një mision mikpritës të pashembullt në botë. Kjo nuk ka shembull tjetër. Ne gjatë kësaj nuk kemi menduar nëse do të vijnë para’ nga Evropa apo bota ose nga Këshilli për Refugjatë i OKB-së. Deri tani kemi bërë shpenzime nga buxheti ynë mbi 10 miliardë dollarë. Dhe kjo vetëm nga buxheti, shpenzime me fatura. Por, kemi edhe shpenzime tjera që janë bërë nga organizatat joqeveritare dhe bashkitë të cilat së bashku me këto arrijnë në 20 miliardë dollarë”, deklaroi presidenti turk, Erdogan.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb