Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se teorikisht ekziston mundësia që Ergys Agasi të kthehet në një të penduar të drejtësisë. Megjithatë ai shtoi se në praktikë një gjë e tillë ka pak mundësi të ndodhë.
Në emisionin “Kjo Javë”, ai u shpreh se nëse Agasi kthehet në “pentito”, kjo rrezikon persona lart në pushtet, për të cilët ai ka informacione të rëndësishme.
Hoxha u shpreh se Agasi nuk është larguar nga vendi pasi atje bëhet edhe më i rrezikshëm.
“Teorikisht ekziston si mundësi, por praktikisht duke pasur parasysh çfarë ai ka bërë dhe di, çfarë ka dokumentuar, ai do të luste e bënte be e rrufe që të mos dinte aq sa di, që të mos gjendej ku është gjendur e të mos kishte filmuar e rrezikuar siç ka bërë.
Ai nuk përbën rrezik për Mirlindën dhe Beqirin, përbën rrezik shumë më lart, është kthyer në një armik publik. Ndaj është e vështirë të bësh bashkëpunëtor një njeri të tillë, sepse presioni është shumë i madh. Ai mund të bjerë dakord ç’ka dalë deri tani dhe të dënohet për kaq si ata të inceneratorëve. Sepse po u tërhoq litari, ta bën kanal bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu i Parë” dhe t’i çan godinat qendrore që janë atje. Tërheq njësinë qendrore që ndodhet në bulevard. Fakti që ky person është i lirë, dëshmon që nuk ka pasur vullnet për ta kapur.
Ai jo vetëm që nuk është kapur por ka qëndruar brenda vendit. Zona më e sigurt për të edhe si perceptim dhe si informacion është “Trekëndëshi i Bermundës” sepse struktura më e madhe në vend operon në zonë, për të cilën ai ka qenë ndërlidhës.
Ata e mbajnë si garanci dhe si lloj pengu. Agasi në vetvete nuk është gangsterr, nuk vjen nga bota e krimit”, tha ai.
