99 ditë revoltë, qëndresë e rezistencë. Një protestë që nuk ka të ndalur.
Qytetarët protestojnë kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit, jehuan thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion”, “Edi Rama jepe dorëheqjen”.
Aktivistët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në ditën e 100-të, ndërsa është paralajmëruar rrethimi i Kryeministrisë. Krahas dorëheqjes së Ramës, nga protesta është artikuluar edhe kërkesa për largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Protestuesit kanë sinjalizuar gjithashtu se aksioni do të zhvendoset edhe përpara Parlamentit me rinisjen e sesionit parlamentar.
Kuvendi rikthehet të martën, më 8 shtator, vetëm një ditë pas protestës së 100-të, duke paralajmëruar një fillim jave me tension të lartë politik.
