Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Dalmacia’ e vjetër vdes nëse segmenti i linjës nuk ndryshon drejtim… Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (pranë Ministrisë së Kulturës), në mbledhjen e tij të datës 12 dhjetor, ka aprovuar kalimin e linjës së tensionit të lartë OST Kosovë-Shqipëri, poshtë, në mes dhe paralel me kodrën e vendbanimit arkeologjik të Komanit, ose e njohur ndryshe si Dalmacia. Lajmi bëhet i ditur për “Gazeta Shqiptare” nga arkeologia që ka zbuluar këtë vendbanim, Etleva Nallbani. Në një intervistë për “GSH”, ajo sqaron se pse kjo linjë e dëmton sajtin qindravjeçar, cila është rëndësia e sajtit dhe pse vendimi i KKAsë është i padrejtë. Sipas Nallbanit, vendbanimi i Komanit i ka dhënë emër një qytetërimi të tërë mesjetar ne Ballkanin Perëndimor. “Fati ynë i madh është që, pothuajse e gjithë shtrirja përkon në territorin shqiptar”, – shprehet ajo. Zbulimet tregojnë se bëhet fjalë për një qendër të shtrirë minimumi në 35 ha, me një vitalitet ndërtimor dhe dendësi banimi të jashtëzakonshëm të paktën përgjatë 1000 vjetëve. “Kjo pasuri e rrallë arkeologjike dhe natyrore duhet shpallur nën mbrojtje sipas zonifikimit; duhet bërë e vizitueshme që tani, në mënyrë që Komani – Dalmacia e shqiptarëve të bëhet pjesë e jetës dhe identitetit të tyre duke ndjekur zbulimet në vazhdimësi”, – ka thënë një muaj më parë, arkeologia që prej vitesh gërmon në këtë sajt.
Në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë është marrë vendim që linja e OST, Shqipëri- Kosovë të kalojë mbi vendbanimin e Komanit. Çfarë do të thotë kjo?
Komani, i njohur historikisht me toponimin Dalmace që në mesin e shekullit 19, si vendbanimi mitik i shqiptarëve mesjetare, Arbërve, shtrihet në disa lartësi. Gjeografia komplekse, perfshin kodër, luginë dhe disa shpate përreth, ku të gjitha së bashku (pas 7 vjetësh gërmime dhe një muaji të tërë survey nga dy specialistë të peizazhit historik) tregojnë se është i organizuar në disa zona e grupime që nga periudha helenistike (shek. III para K.) deri në mesjetë të vonë (shek. XVI). Linja e tensionit të lartë Shqipëri- Kosovë, do ti kalojë paralel pikës më të lartë të vendbanimit, do ti kalojë në lartësitë e mesme dhe në dy nga lagjet e poshtme, ku njëra ka qenë e banuar në periudhë romake dhe mesjetare, ndërsa tjetra në mesjetë. Pra vërtetë që shtyllat ndërtohen në limitin e zonës A, por ato nuk janë shtëpi apo pallate, ku të respektosh zonifikimet.
Pra e dëmton?
Po, një zonifikim i tillë i shërben ndërtimit të shtëpive nga banorët apo ndonjë guroreje a ndërhyrje në infrastukturë, por vendosja e shtyllave të linjës së tensionit të lartë ka krejtësisht një tjetër impakt. Ato shkatërrojnë krejtesisht KOMPLEKSIN E VENDBANIMIT. Vendbanimi mesjetar është një unitet i tërë, me të gjitha këto shpatet e lartësitë e luginën, të marra së bashku.
Por, a mund të shpëtohet?
Nëse segmenti i linjës nuk ndryshon drejtim, vendbanimi arkeologjik vdes, pasi jo vetëm që s’përdoret dot asnjë mjet i studimit të vendbanimit me teknikat bashkëkohore (gjeofizike, gjeoradar, dron etj etj), për shkak të fushave magnetike që krijohen, por institucionet kërkimore europiane nuk mund të vazhdojne të investojnë në zbulimin e një vendbanimi për të cilin strukturat e trashëgimisë shqiptare tregojnë kaq pak sensibilitet, duke e çuar drejt shkatërrimit e braktisjes. Si mund të zhvillohet një vendbanim, pjesërisht i shkatërruar nga ndërtime të mëdha të tilla, apo i mbuluar e i përshkuar nga linja të tilla?! Turizmi kulturor apo thjesht turizmi mbetet një endërr.
A ia keni shpjeguar Ministrisë, Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë apo ndonjë instance tjetër rëndësinë e këtij zbulimi në Koman dhe dëmin që i bëhet?
Sigurisht që ja kam shpjeguar. Për më tepër jemi në kushtet kur jam unë që insistoj së bashku me misionin arkeologjik që bashkëdrejtoj, për hartimin e një zonifikimi të vendanimit, ndërkohë që kjo është detyrë e stukturave të Ministrisë së Kulturës. Në tetor të 2014-ës jam takuar me drejtuesin e OST zotin Engjell Zeqo ku i kam shprehur gjithe shqetësimin tim për pasojat që do sillte për vendbanimin e Komanit, kalimi i këtij segmenti të linjës së tensionit të lartë. Më pas kam furnizuar dosjen e zonifikimit të vendbanimit të Komanit prane sekretarisë teknike të KKA, në mënyrë që të zgjerohet zona e mbrojtur e vendbanimit (pasi shteti shqiptar ka nën mbrojtje vetëm nekropolin e Komanit), si rezultat i zbulimeve të reja. Kam shpjeguar gjithashtu që ambicia në shkalle kombëtare duhet të jetë hartimi i një projekti gjithëpërfshirës që do e kthejë Komanin në një park arkeologjiko-natyror- industrial. Por për këtë fillohet një herë nga mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike, pasi është ajo që po rrezikon tani për tani. Ose thjesht fare, jam unë që po e ngre zërin, pasi investohet prej 7 vjetësh nga institucionet kërkimore-shkencore europiane në zbulimin e tij. Po ashtu i kam dërguar email anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, para mbledhjes për rëndësinë me të cilën duhet të trajtonin këtë vendbanim. U kërkoja të spostonin trasenë prej katër shtyllash që do e mbyste vendbanimin. Pas marrjes së vendimit nga KKA e datës 12 dhjetor, i jam drejtuar edhe Kryeministrit të vendit, zotit Rama, si i vetmi vullnet që mund të shpëtojë një vendbanim të një rëndësie të tillë kombëtare.
Për cilat epoka keni gjetur të dhëna aty?
Komani është një vendbanim që shtrihet në disa lartësi dhe nuk është vetëm maja. Pra është një kodër dhe një luginë dhe disa shpate përqark, ku secila (sidomos pas një muaji survejim që kryem në gusht dhe pas 7 vjetësh gërmime) tregon se është i okupuar që në fund të Helenistikes e me zona e grupime, deri në Mesjetë të vonë. Pra, vërtet që ti shtyllat i ndërton në limitin e zonës A, por ato nuk janë shtëpi apo pallate. Ato shkatërrojnë krejtësisht kompleksin e vendbanimit.
Cilat kanë qenë reagimet që keni marrë? A keni pritshmëri që të ndryshohet vendimi për kalimin e kësaj linje mbi Koman?
Mendoj se kemi male e kodra me shumicë për të shtrirë kabllo elektrike. Mendoj se nëse për çështje kaq teknike dhe pa rëndësi (spostimi i projektit të një linjë prej katër shtyllash…), lejojmë shkatërrimin e vlerave tona të rralla dhe të pazëvendësueshme historike, atëherë në mënyrë të pandërgjegjshme kemi shkatërruar të ardhmen tone. Ne jemi vend që sot në 2015 synojmë dhe duhet të futemi në Europe. Por kemi harruar ndërkohë që Komani e ka marrë pasaportën europiane që në shekullin e 19. Me vullnet e largpamesi ndërtohet nga hiçi e jo më kur ke perla të trashëguara.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb