Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” ka folur në lidhje me veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Bardhi u shpreh se e mbështet punën e SPAK dhe se pret rezultate konkrete nga kjo strukturë e drejtësisë, edhe pse theksoi se ka pasur kritika për të, veçanërisht në rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai po ashtu përmendi rastin e arrestimit të kreut të Autoritetit të Rrugëve Evis Berberi, duke theksuar se nuk mund të thuhet që drejtori ka kaluar miliona euro në një kompani të tijën dhe të mos ketë pasur dijeni nga ana e eprorëve.

Sipas tij në atë çështje po hetohet përtej drejtorit të ARRSH, teksa nënvizoi se nëse hetimet do të mbeten aty, do të vihet në pikëpyetje besueshmëria e SPAK.

“Patjetër që e mbështes SPAK-un. Sa kohë që unë i drejtohem SPAK-ut, kam besim. Pres rezultate konkrete edhe nga çështja McGonigal. Në parim e mbështes dhe sa herë kam patur kritika i kam bërë ato sepse nuk mund të trajtohet si një gjë e mbyllur ku opinioni publik nuk duhet të shprehë kritika edhe për një frymë të mirë.
Në rastin e zotit Berisha kam pasur një kritikë në mënyrën e procedurës, pasi duhet të merrej autorizimi i Kuvendit. Nuk ka gjë që një politikan i lartë të hetohet. Nuk mund të thuash që drejtori i ARRSH ka kaluar miliona euro në një kompani të kaluar prej tij dhe mos të ketë patur dijeni eprori i tij që ka një detyrim Kushtetues për të mbikëqyrur punën e tij. Edhe në atë çështje besoj se po hetohet përtej drejtorit të ARRSH. Nëse çështja ngel aty te drejtori që me një procedurë i kalon vetes 1.5 milionë euro, këtu pastaj do vihej në pikëpyetje besueshmëria”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb