Një prej banorëve më karizmatikë në “Big Brother 8”, Fabiani do të kujtohet për batutat plot humor dhe temperamentin e tij. I eliminuari i parë në finalen e “Big Brother”, shprehet se jashtë kanë qenë të shumtë ata që e kanë mbështetur dhe komplimentuar, ndaj dhe nëse fitorja do të caktohej me meritë, pa diskutim që ai do të rrëmbente çmimin e parë. Edhe pse u duk se kishte një flirt me Milenën, ish-banori e mohon këtë fakt. “Milena është shumë larg me mua”, – deklaron ai për vajzën nga Korça. Edhe pse na thotë se fituesi nuk diskutohet, Fabiani është shprehur se Veseli fitoi me mbështetjen dhe votat e Kosovës.

Prekët finalen e “Big Brother”, si u ndjetë?
Ishte një emocion i rrallë për mua. Erdha nga Italia në një vend që nuk njihja njeri dhe krijova fansat e mi. Isha shumë i lumtur që arrita deri aty. Kjo tregoi se edhe njerëzit e drejtë dhe pa intriga ia dalin në jetë edhe në të tilla formate.

A e menduat për ndonjë sekondë që mund të fitonit, u zhgënjyet?
Jo, nuk e kisha menduar fitoren, edhe pse në finale. Sikur të isha për meritë, e di që edhe mund të isha unë fituesi i çmimit të madh, por kështu si funksionoi, nuk e shihja shumë veten si triumfues, edhe pse, deri aty ku arrita mendoj se ishte një sukses i madh nga ana ime.

Thoni që me meritë do ta fitonit, çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që në Shqipëri fitohet me padrejtësi dhe s’ka shumë drejtësi, sidomos në spektakle.

Keni vënë re parregullsi gjatë spektaklit?
Jo nga ana e lojës, asnjë parregullsi, ishte gjithçka në rregull. Po mendoj se në Shqipëri nuk ecin më njerëzit që janë vetvetja dhe që nuk e shesin veten në debate ordinere. Nuk bënte për Fabianin e gjitha kjo. Edhe pse, ai grup njerëzish të cilëve u jam dukur i drejtë dhe i sinqertë më kanë votuar dhe mbështetur.

Po për fituesin, Veselin, çfarë mendoni, e meritonte finalen?
Fituesi nuk diskutohet. Veseli ishte një djalë i shkëlqyer dhe kishte shumë mbështetje jashtë. Kosova ka bërë namin me gjithë suportin që i ka dhënë dhe nuk kishte sesi të mos e fitonte Veseli.

E ke ndjekur “Big Brother” në Itali, ku ndryshon ai nga formati shqiptar?
Në “Big Brother”-in italian marrin pjesë karaktere si puna ime. Vlerësohet sinqeriteti, njerëzit janë vetvetja, ndaj dhe quhet ‘reality’, që publiku të të njohë si je në realitet dhe jo në lojë.

Si ishte “Big Brother”-i i Fabianit?
Fantastik! Ishte një mundësi që të vjen një herë në jetë, ndaj dhe unë mundohesha që ta shijoja sa më shumë. Do ta kujtoj gjithë jetën këtë eksperiencë kaq të veçantë!

A mendoni se ju penalizoi fakti që ju nuk përfshiheshit në debate?
Jo, nuk e mendoj. Banorët ishin ata që nuk përfshiheshin në debate me mua. Në javët e para jam treguar i ashpër kur bëhesha pjesë e konflikteve, ndaj dhe mendoj se asnjëri prej tyre s’u mor më me mua.

Si i ke parë çiftet në “Big Brother”; a po bënin lojë, apo mes tyre ka ndjenja?
Çiftet i kam parë pranë njëri-tjetrit. Përderisa ata kanë zgjedhur që të bëhen partnerë, nuk e kuptoj përse duhet të jenë falsë. Besoj se edhe jashtë do të kalojnë mirë, përderisa vazhdojnë akoma. Alba dhe Diedoni kanë një marrëdhënie më stabël, përderisa ajo, sa doli nga “Big Brother” shkoi te Diedoni dhe jo te nëna e vet.

Po ju vetë, përse nuk u lidhët në “Big Brother”?
Sepse nuk gjeta asnjë femër që t’u afrohej shijeve të mia. Nëse do të ishte një vajzë që do të më pëlqente, natyrisht që do kisha krijuar një lidhje. Nuk më ngjiti asnjë prej femrave.

Po me Milenën, çfarë ndodhi, përse nuk u lidhët?
Ç’lidhje kam unë me Milenën njëherë?! Ajo më provokoi në banjë duke më mbështetur me shpatulla pas muri dhe më pas tha “në shtëpi s’ka hamshorë”, ndaj dhe unë i reagova me puthjen, për t’i treguar të kundërtën, pra se në shtëpi ka hamshorë. Pa dashur të fyej asnjë, Milena është shumë larg me mua, nuk më pëlqeu, ishte diçka momentale.

Nëse do të kishit gjetur dikë aty brenda, a do të shikonim seks me Fabianin?
Patjetër që po! Nëse do të ishte një femër që do më joshte, edhe do bëja seks. Nuk ka asnjë gjë të keqe të bësh seks në një ‘reality show’. Ne ishim aty për të treguar të përditshmen tonë dhe seksi është pjesë e jetës.

Si do të vijojë jeta e Fabianit tanimë?
Nuk e kam pikën e idesë. Aktualisht po shijoj pushimet në Shqipëri. Mendoj se do të qëndroj deri nga shtatori. Nëse nuk gjej diçka të re, atëherë do të kthehem atje ku isha. Por për momentin do të rikuperoj tre muajt e izolimit.

A ka ardhur momenti të gjeni një nuse?
Është në planet e mia, po jo afatgjate. Natyrisht që, femra kam shumë, por më duhet të bëj një seleksionim që të gjej dikë që më përshtatet. Kur ta gjej, patjetër do të martohem; është momenti i duhur.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: