Vijon të zgjerohet ‘harta’ e bashkëpunimit të universitetit “Luarasi” me organizata të rëndësishme ndërkombëtare në vend. Në kuadër të ndërkombëtarizimit të “Luarasit”, u zhvillua një tryezë e rrumbullakët organizuar nga fakulteti i drejtësisë me përfaqësues të nivelit të lartë të prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Cailean MacLean, shef i departamentit te shtetit te se drejtës dhe te drejtave te njeriut te prezencës se OSBE në Shqipëri së bashku me eksperte të tjerë te lartë zhvilluan një takim me drejtuesit e fakultetit të drejtësisë tek “Luarasi”, ku u diskutua për të rritur cilësinë akademike duke bashkëpunuar në projekte të përbashkëta.

Duke marrë parasysh faktin se OCBE në fushën e drejtësisë jep kontribut multidimensional, u veçua ofrimi i mundësive dhe kontributeve të Prezencës së OSBE në fushën e ligjit. Edukimi ligjor i publikut dhe ndihma juridike falas, apo hartimi i manualëve apo studimeve në fushën e drejtësisë ishin disa nga temat ku do te projektohen bashkëpunimet në të ardhmen.

“Jam shumë i kënaqur pas këtij takimi shumë të frytshëm që patëm me stafin akademik të fakultetit të drejtësisë të universitetit ‘Luarasi’. Ne, prezenca e OSBE-së, dëshirojmë të bashkëpunojmë me universitetin “Luarasi” në fushën e edukimit ligjor të publikut, si dhe në ofrimin e ndihmës ligjore falas. Jemi në fazën e hershme të negociatave pasi ne bashkëpunojmë me gjithë universitetit dhe studentët në mbarë vendin, detaje më të shtjelluara për bashkëpunimin tonë do i bëjmë publike në të ardhmen”,-u shpreh Cailean MacLean, shef i departamentit të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut të prezencës së OSBE në Shqipëri.

Sakaq Dr. Admir Belishta, pedagog pranë departamentit të së drejtës penale në fakultetin e drejtësisë në universitetin “Luarasi” tha se gjatë takimit që u zhvillua në tryezën e rrumbullakët në fokus ishin studentët e këtij fakulteti si dhe stafi pedagogjik.

Gjithashtu prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe fakulteti i drejtësisë së universitetit “Luarasi” angazhohen në organizmin e aktiviteteve të përbashkëta, për zbatimin e projekteve dhe veprimtarive ne fushën e shtetit ligjor si dhe të drejtave të njeriut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb