Nga: ORNELA MANJANI*TIRANE-Dhjetë ndërmarrje dhe shoqëri të industrisë joushqimore janë përfshirë në procesin e shpalljes së falimentimit nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës. Procesi i likuidimit të 10 ndërmarrjeve synon maksimizimin e vlerave të aseteve të mbetura me shpenzime sa më të vogla. Ndërkohë që po ndiqet me përparësi përshpejtimi i procedurave të shitjes dhe likuidimit të ndërmarrjeve, kryesisht në industrinë joushqimore.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Energjetikës, sipas së cilës ndërmarrjet në proces likuidimi janë në varësi administrative nga ky dikastere dhe janë në statusin e shoqërive aksionere. Në listën e ndërmarrjeve në proces falimenti është Kombinati Energjetik sh.a. Elbasan, ndërmarrja “Prodhim Mobilie” sh.a. Tiranë, ndërmarrja e “Prodhim Veshjeve” sh.a. Durrës, prodhim “Këpuca” sh.a. Korçë, “Beratex” sh.a. Berat, “Prodhim Kabllo” sh.a. Shkodër, Uzina e “Superfosfatit Laç” sh.a. në likuidim, e cila vitin 2014 ka marrë në administrim asetet e ish “Superfosfati Laç” (ndërmarrje ne likuidim). Në proces është edhe N.P. Çelikut Elbasan , Uzina nr. 12 dhe “Co Elbasan” dhe Uzina e Plehrave Azotike Fier – ndërmarrje në likuidim sipas VKM 269, datë 8.6.1999 “Për falimentimin dhe likuidimin e Uzinës së Plehrave Azotike Fier dhe trajtimin e punonjësve që shkurtohen. Ndërkohë për disa ndërmarrje është miratuar dhe privatizimi. Burimet nga Ministria e Energjetikës bëjnë të ditur se në muajin korrik 2014 është bërë kërkesa e MZHETTS për privatizimin e paketës shtetërore për “Prodhim Këpuca”, “Trikotazh” Korçë, “Beratex” sh.a Berat dhe më tej edhe për “Prodhim Mobilie” sh.a Tiranë dhe “NPV” sh.a Durrës.

Ministria e Energjetikës bën të ditur se me përparësi po ndiqet administrimi, ruajtja dhe monitorimi në “Uzinën e Plehrave Azotike” Fier i dy landfilleve, një në ish-‘Sode PVC’ dhe tjetri në ‘Azotik’, ku janë depozituar mbetje të rrezikshme. Sipas MEI-t “NPV” sh.a Durrës, ‘Beratex’ sh.a dhe “Prodhim Mobilie” sh.a Tiranë dhe NPÇ Elbasan funksionojnë në sajë të dhënies se ambienteve të tyre me qira, kryesisht me aktivitet prodhues.

LIGJI PËR FALIMENTIN

Në ligjin për falimentin është parashikuar që administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit, shoqëri tregtare: 2 vjet pas kalimit në statusin pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit si dhe kur detyrimi tatimor i të cilëve është deklaruar i pambledhshëm. Kërkohet shpallje falimenti edhe në rastet kur një subjekt deklaron rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht dhe kur nuk kanë kryer veprimtari tregtare për një periudhë prej të paktën 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

NDËRMARRJET

1- ‘Kombinati Energjetik’ sh.a. Elbasan
2- ‘Prodhim Mobilie’ sh.a. Tiranë
3- Ndërmarrja e ‘Prodhim Veshjeve’ sh.a. Durrës (ka kaluar në ruajtje dhe administrim ndërmarrjen ‘Goma’ Durrës).
4- ‘Prodhim Këpuca’ sh.a. Korçë (ka kaluar në ruajtje dhe administrim ‘Trikotazhi’ sh.a. Korçë dhe Fabrika e Çorapeve Korçë – ndërmarrje në likuidim).
5- ‘Beratex’ sh.a. Berat.
6- ‘Prodhim Kabllo’ sh.a. Shkodër (shoqëri në likuidim).
7- ‘Uzina e Superfosfatit’ Laç – sh.a. në likuidim, e cila vitin 2014 ka marrë në administrim asetet e ish-‘Superfosfati Laç’ (ndërmarrje ne likuidim).
8- N.P. Çelikut Elbasan (Ndërmarrje në likuidim)
9- ‘Uzina nr. 12 dhe Co’ Elbasan – ndërmarrje në likuidim sipas VKM 418, date 9.7.1998 dhe VKM 113, datë 18.3.1999.
10- Uzina e Plehrave Azotike Fier – ndërmarrje në likuidim sipas VKM 269, datë 8.6.1999 “Për falimentimin dhe likuidimin e Uzinës së Plehrave Azotike Fier dhe trajtimin e punonjësve që shkurtohen”.

 

(a.n/GSH/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: