TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 personat të cilët akuzohen për “Trafikim të personave të rritur”. Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda duke lënë në burg Bajram Xhajën, 58 vjeç; Kujtim Emirin, 59 vjeç; Xhelil Allën, 43 vjeç; Sofije Pepajn, 50 vjeç dhe Mihal Gjokën, 56 vjeç. Këta persona u arrestuan gjatë operacionit “Emigracioni i paligjshëm”, që u shtri në Tiranë e Durrës.

Gjatë këtij operacioni policia zbuloi dy laboratorë të falsifikimit të dokumenteve.

Këta shtetas dyshohet se krijonin kushtet që të lëviznin me dokumente false nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë persona të ndryshëm, kundrejt shumave që arrinin deri në 20 mijë euro për person.

Prokuroria ka nisur hetimin në janar 2015, në bazë të materialit të referuar nga ana e Policisë së Shtetit. Në bazë të hetimeve proaktive, u arrit që të faktohej veprimtaria kriminale dhe të arrestoheshin këta persona.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: