Aeroporti i Zyrihut merr rregullisht çmime “për lehtësinë e përdorimit dhe standardet e larta të cilësisë”, mirëpo sipas “Tages-Anzeiger” ky reptuacion është shkatërrur nga një i ri shqiptar.

27-vjeçari shqiptar ka hyrë pa autorizim në ambientet e aeroportit të Zyrihut në Zvicër rreth orës 22:00, ndërsa raportohet se fillimisht po ecte në pistë, ku më pas vodhi një makinë me të cilën iu drejtua pistës 28 ​​për të shkuar në zonën E të pistës së aeroportit.

Me të mbërritur në zonën E, e përdorur kryesisht për fluturimet me distanca të gjata, i riu u përpoq të hipte në një avion për në Johannesburg i veshur me një jelek fluoreshent që kishte gjetur aty pranë, por ekuipazhi ia mohoi hyrjen duke e larguar.

Një punonjës i aeroportit përfundimisht e zbuloi atë në kabinën e një aeroplani tjetër të nisur për në São Paulo nga ku më pas u arrestua, ndërsa pas shoqërimit të tij, një mjek e ka ekzaminuar shqiptarin “dukshëm të çorientuar”, raporton media “K-Tipp”.

Një zëdhënëse e aeroportit tha se “hetimet për këtë incident ende nuk kanë përfunduar plotësisht” dhe se “deri më tani nuk është bërë asnjë përshtatje e proceseve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb