TIRANË

Policia e Shtetit vijon operacionin “Fati i lojërave”, teksa ka arrestuar 3 persona dhe ka proceduar penalisht 14 të tjerë në Tiranë. Po kështu janë sekuestruar 21.900 € dhe 90.800 lekë të rinj, lëndë narkotike kokainë, dy tavolina pokeri, katër valixhe me çipsa dhe dy aparate celular.

Në vijim të operacionit “Fati i Lojërave”, specialistët në Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në rrugën “Konferenca e Pezës”, në katin e dytë të një pallati, në një ambient ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit dhe konsumohej lëndë narkotike kanë organizuar punën duke ushtruar kontroll në këtë ambient.

Si rezultat u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
•A. M., 45 vjeç; V. M., 40 vjeç dhe G. K., 45 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në ambientin e marrë me qira nga shtetasi V. M., 40 vjeç dhe punonjës shtetasi A. M., 45 vjeç, shërbimet e Policisë konstatuan 14 shtetas duke ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme e organizimit të lojërave të fatit. Këta shtetas në përfundim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë.

Ndërsa shtetasit G. K., 45 vjeç (klient) gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21.900 € dhe 90.800 lekë të rinj, lëndë narkotike kokainë, dy tavolina pokeri, katër valixhe me çipsa dhe dy aparate celular. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme proçeduriale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb