Në  seancën parlamentare të zhvilluar në Kuvend këtë të hënë,  deputeti i PD Belind Këlliçi ngriti shqetësime për procesin e integrimit europian dhe akuzoi ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme për mungesë transparence.

Këlliçi u ndal te raporti i IBAR-it, duke theksuar se ai është një vlerësim i ndërmjetëm që fokusohet në kapitujt themelorë të negociatave me Bashkimin Europian, duke përfshirë funksionimin demokratik të institucioneve, sistemin e drejtësisë, të drejtat themelore, prokurimin publik dhe kriteret ekonomike.

Deputeti bëri të ditur se i ka drejtuar zyrtarisht disa pyetje ministrit të Jashtëm, që lidhen si me këto çështje, ashtu edhe me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon, por sipas tij nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Këlliçit, ministri i Jashtëm kishte ofenduar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Ai deklaroi se fillimisht këto mesazhe u mohuan nga ministria si të fabrikuara, por më pas ai publikoi komunikime të tjera që sipas tij vërtetojnë autenticitetin e tyre.

“Këtu nuk bëhet fjalë për komunikime private, por për një grup zyrtar ku jepen direktiva për politikën e jashtme”, u shpreh Këlliçi, duke shtuar se ministri duhet të dalë publikisht dhe të sqarojë nëse qëndron pas deklaratave apo të kërkojë ndjesë.

Belind Këlliçi: Të nderuar qytetarë, kjo është një seancë që në fakt i dedikohet zgjedhësve dhe problematikave të qytetarëve dhe dua të flas në këto katër minuta për një problem madhor që e kanë të gjithë qytetarët shqiptarë me bindje apo jo politike që ka të bëjë me procesin e integrimit europian. Dhe me një seancë dëgjimore që është organizuar sot në komisionin e marrëdhënieve me jashtë, ku ministri i jashtëm do duhej të raportonte për raportin e IBAR-it dhe ecurinë e procesit të integrimit europian. Raporti i IBAR-it për të gjithë qytetarët që na ndjekin duhet ta dinë se është një raport i vlerësimit të kushteve të ndërmjetme i cili fokusohet në grup kapitullin numër një që janë pikat themelore dhe ku aty trajtohen fushat kyçe të qeverisjes demokratike duke përfshirë funksionimin demokratik të institucioneve, gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, prokurimin publik dhe kontrollin financiar, statistikat dhe kriteret ekonomike si dhe reformën e administratës publike.

Dhe pikërisht për këto arsye, i jam drejtuar sot zyrtarisht ministrit të jashtëm me disa pyetje që prekin thelbësisht këto çështje, por që prekin gjithashtu dhe një nga kriteret kyçe, raportet e fqinjësisë së mirë dhe raportet që ne kemi me vendet e rajonit. Një javë më parë personalisht kam publikuar disa mesazhe të ministrit të jashtëm në grupin e ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në botë. Ku ministri i jashtëm i Republikës së Shqipërisë etiketon bashkëkombasit tanë në Maqedoninë e Veriut si idiotë dhe shprehja tekstualisht është, ‘po ata idiotët shqiptarë atje, çfarë thonë?’. Menjëherë pasi kam bërë publike këto mesazhe ka patur një reagim i Ministrisë së Jashtme që i ka mohuar dhe ka thënë që kanë qenë fabrikime. Jam detyruar të nxjerr komunikimin e grupit të ambasadorëve dhe nuk kam nxjerrë komunikime private, këtu nuk flitet për piknik, as për të lënë ndonjë orar dreke, por është grupi ku jepen direktivat për politikën e jashtme drejtuar të gjithë ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë nëpër botë. Dhe sërish ministri e ka mohuar. J

Jam detyruar të nxjerr më pas edhe momentin kur ministri ka fshirë mesazhin dhe është larguar nga ky grup. Dhe sot pasi ka patur disa herë një kërkesë të përsëritur nga ana jonë për të marrë një përgjigje për këto mesazhe, prapë ministri nuk ka kthyer përgjigje. Ministri duhet të vijë dhe të thotë këtu, ose shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë idiotë dhe ai i qëndron thënies së tij, ose ky mesazh është i fabrikuar nga ana ime dhe unë dal këtu publikisht dhe i kërkoj ndjesë çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë edhe shqiptarëve të Maqedonisë, ose ministri i jashtëm i Republikës sonë duhet të kërkojë ndjesë. Gjithashtu e kam pyetur në raport me testin kritik për rastin Balluku duke qenë se është një pikë që prek drejtpërdrejtë edhe raportin e IBAR-it përsa i përket fushave të prokurimit publik, funksionimit të shtetit ligjor, pavarësisë së gjyqësorit, konkurrencës dhe luftës kundër luftës kundër korrupsionit.

Zero përgjigje, as edhe një koment për testin kritik që u vendos në mes të Tiranës nga kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister. Asnjë përgjigje dhe edhe për dosjen e AKSHI-t. I kam bërë me dije ministrit, i kam lexuar vendimin numër 289 datë 20 prill 2026 të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë për korrupsion dhe krimin e organizuar dhe e kam pyetur nëse është në konflikt interesi në momentin që raporton para institucioneve europiane për reformën në drejtësi, për institucionet e drejtësisë dhe sërish ka patur vetëm mohim dhe nuk kemi marrë përgjigje. Mendoj se është në nderin e ministrit të jashtëm të bëjë transparencë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për këtë skandal që është i paprecedent në 36 vitet

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb