Këngëtari i njohur korçar dhe shumë i dashur për gjithë publikun shqiptar Endri Prifti festoi mbrëmjen e kësaj të hëne 50-vjetorin e lindjes në mes familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij. Në mes të të ftuarve në këtë përvjetor ishin këngëtarët më të mirë të muzikës shqiptare duke filluar Aurela Gaçe, Eli Fara, Gena, Devis Xherahu, por edhe Gaz Paja, Rezart Veleshnja, Ledio Lako, të cilët e bën këtë ditëlindje të paharrueshme për artistin me muzikën e mirë dhe me batuat e humorin që nuk munguan gjatë gjithë festës.

Në këtë ditë të shënuar Endri Prifti solli për gjithë artdashësit e tij 3 projekte të reja muzikore, njëra prej të cilave i dedikohej nënës, ndërsa dy të tjerat dashurisë. Endri tha se dëshira dhe qëllimi i tij është që njerëzit të gjejnë veten muzika që ai krijon.

Këngën “As shpirt as zemër” Endri e këndon vetëm, ndërkohë këngën “Nëna” dhe “Kjo është jeta ime” e këndon duet së bashku me vëllanë e tij, sikurse jemi mësuar t’i shohim. Këto këngë të reja, kompozuar nga vetë artistët, janë padiskutim thjesht sukseset e radhës për ta. Këngët e reja u prezantuan në festën e ditëlindjes, si një dhuratë për këtë 50-vjetor për vetë artistin por edhe për gjithë publikun.

Një moment tejet emocionues gjatë festës ishte kur Stefi Prifti i dedikoi disa fjalë zemre vëllait të tij, “Mbi të gjitha është shumë i mirë, është njeri shumë i dashur dhe i shoqërueshëm siç e dini të gjithë. Është artist në thelb, unë dhe fëmijët e duam shumë dhe i uroj atij paqe e dashuri”. Këngëtari Endri Prifti zbuloi se brenda këtij viti ai dhe Stefi do të sjellin edhe dy projekte të reja muzikore, një lajm shumë i mirë ky pasi të gjithë kemi kaq shumë nevojë për muzikë dhe këngë të bukura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: