(në përditësim)

FIER- Situata nga shpërthimet e puseve në Marinzë vijon të jetë problematike. Përgjatë gjithë natës ka vijuar rrjedhja e gazit nga nëntoka, ndërsa banorët më pranë puseve nuk janë kthyer ende në banesat e tyre për shkak të rreziku.

Sipas raportimeve Fier, ka ende rrjedhje të gazit nga nëntoka, pranë dhjetëra banesave. Banorët e zonës janë tepër të frikësuar dhe shprehen se situata është e rënduar. përveç gazit ata i tremben edhe shembjeve të tokës.

“Situata është tepër e renduar. Nuk do qëndrojmë në banesa, jemi në rrezik. Natën e kemi kaluar tek të afërmit tanë. Ndihemi vërtetë të frikësuar, nuk rrihet këtu. kemi frikë edhe nga shembjet”, deklarojnë ata.

POLICIA NIS PROCEDIMIN NDAJ BANKERS: ZONA ËSHTË E SIGURT POR PO MBAHET NJË PERIMETËR SIGURIE

Më datë 01.04.2015,filloi procedimi penal në ngarkim të  Kompanisë” Bankers Petroleum” sepse rreth orës 07:21, në vendin e quajtur fshati Marinëz, konkretisht në afërsi të Pusit P29, ka shpërthyer një fontanë gazi e përzier me ujë dhe llum.

Nga komunikimet paraprake me banorë të zonës dhe nga verifikimi në vend rezulton se kishte çarje të sipërfaqes së tokës në disa vende me nxjerrje në formë fontane me përmasa të ndryshme. Këto fontana janë në afërsi rreth 200 metra nga pusi i shpimit të Kompanisë Bankers Petroleum, pus i cili ka nr.P29.

Duke qenë se kjo fontanë kishte përbërje gazi, në vende të ndryshme përreth fontanës kryesore kishte çlirime të tjera të cilat mund të shkaktonin cedim të terrenit dhe dëmtime të banesave përreth. Pas komunikimit me drejtues të pushtetit lokal, u morën masa të menjëhershme për evakuimin e banorëve përreth zonës së mësipërme.

U evakuuan fillimisht 50 familje si dhe u bë sigurimi i vendit duke mos lejuar futjen e personave të tjerë të paautorizuar në këtë territor përveç punonjësve të kompanisë Bankers Petroleum dhe forcave të emergjencës.

Më përfundimin e aktivitetit të fontanimit të pusit, rreth orës 13:00, u kryen veprimet e para procedurale. U bë këqyrja e banesave të dëmtuara nga llumi dhe uji i dalë nga fontana në banesat përreth, ku u këqyrën 6 banesa pa dëmtime strukturore në konstruktin e tyre por duke patur dëmtime në sipërfaqet e tokës përreth tyre. Është këqyrur dhe një pjesë e rrugës së fshatit Marinëz, rrugë e paasfaltuar, e cila ka pësuar dëmtime në disa pjesë të saj.

Janë marrë deklarime personave që kanë dijeni për veprën penale, banorë të banesave të dëmtuara dhe banesave përreth.

Gjatë gjithë kohës janë mbajtur kontakte të vazhdueshme me pushtetin lokal, Specialistë të Emergjencave Civile në Prefekturën Fier si dhe specialistë të Kompanisë Bankers për tu informuar në lidhje me situatën për eliminimin e fontanimit dhe shmangien e pasojave të mëtejshme. Nga ana Kompanisë Bankers u ndërhy në pusin P29 duke kryer çimentimin e pusit, injektimin e lëndëve speciale për këto raste dhe rreth orës 19:15 na është konfirmuar se zona është e sigurt por nga ana e forcave të policisë po mbahet një perimetër sigurie prej 500 m nga pusi P29.

Gjatë kryerjes së veprimeve janë mbajtur kontakte dhe me specialist të AKBN Tiranë (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, strukturë në Ministrinë e Energjetikës), të cilat kryen inspektimin në vend dhe aktualisht nuk kanë dalë në një konkluzion përfundimtar mbi shkakun e kësaj ngjarje. Deri në këto momente, nuk ka persona të dëmtuar apo banesa me dëme strukturore por është konstatuar vetëm dëm në të mbjella dhe strukturën e tokës përreth këtyre banesave që u përkasin shtetasve: S. Pipa; A. Karamani; N. Shabani; S. Karamani; N. Suku; J. Prifti; G. Shahini; A. Profka dhe P. Konomi.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: