Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me figurën e ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, i cili u nda nga jeta ditën e sotme.

Lubonja deklaroi se Berlusconi ishte pjesë e një sistemi ku u shfaq hapur ajo pjesë e shoqërisë italiane dhe perëndimore ku një pakicë kontrollon financat, mediat dhe pushtetin.

Sipas tij Berlusconi edhe pse fliste për liberalizmin përfaqësonte vlerat që ishin kundër demokracisë.

Sa i përket një pikëpamjeje pozitive, Lubonja tha se në politikën e jashtme ka qenë ekuilibrisht dhe evropianist.

“Ka mbajtur disa pozicione që për mua dhe tani e pashë me simpati për qëndrimin për luftën në Ukrainë. Ka qenë më i moderuar. Ka pasur një lloj…disa thonë bujari me njerëzit”, tha ai.

Nga ana tjetër deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku u shpreh se Berlusconi ishte një figurë e ngjashme me ish-presidentin e SHBA-ve Donald Trump, teksa e cilësoisi “një populist të suksesshëm”.

Ai u shpreh se me ikjen nga jeta të Berlusconit shuhet figura e fundit e këtij modeli politikani në kontinent, ndërsa shtoi se nuk ka lënë pas një model politik që të ndiqet nga brezat e politikanëve pasardhës.

Lubonja:

Kemi të bëjmë me një sistem ku ai shfaqi hapur atë që është pjesë e botës edhe perëndimore, ku një pakicë kontrollon financat, mediat dhe pushtetin politik. Berlusconi fliste aq shumë për liberalizmin, por ajo që përfaqësonte ishte kundër demokracisë. Gjithë problemi është trashëgimia që lë.

Çollaku:
Berlusconi ishte gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe ngjarjeve. Çdo ngjyrë i rri Berlusconit. Është një lloj Trump-i evropian. Ishte populist i suksesshëm. Me ikjen e tij shuhet figura e fundit e këtij modeli politikani në kontinent. Nuk ka të ngjashëm në Evropë si ai. Brezi i politikanëve që e zëvendësuan kanë një tjetër natyrë. Nuk besoj se ka lënë ndonjë shkollë apo model politik që të ndiqet nga dikush në të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb