Fatmira Nikolli
Ndërsa Shqipëria është përfshirë prej më shumë 3 muajsh në protesta masive, ku roli i policisë ka qenë shumë i debatueshëm për mënyrën e reagimit dhe proporcionalitetit, në Suedi, ka një njësi të posaçme me emrin “Policia e Dialogut” e cila sigurohet për mbarëvajtjen e tubimeve vetëm përmes komunikimit duke siguruar njëherësh lirinë e fjalës. Në kuadër te edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të drejtat e njeriut, në Akademinë e Sigurisë, para studentëve dhe pedagogëve u shfaq një film që sjell shembullin suedez duke i orientuar mbrojtësit e rendit në Shqipëri drejt një modeli të ri dhe sipas regjisores, të suksesshëm.
“Në vitin 2001 ne kishim protesta të dhunshme që shënuan dëme masive në dyqane, teksa shumë protestues e policë u plagosën. Pas kësaj, Suedia ishte në shok dhe tha që: kjo s’mund të ndodhë më. U bë një hetim politik, që tregoi se metoda e përdorur nga policia në protestë, e kishte përshkallëzuar situatën, jo qetësuar atë. U kuptua që mënyra si reagon policia është e rëndësishme nëse ajo do të jetë e dhunshme ose jo. Kjo gjetje e hetimit, tregoi përse duhet ky dialog”, tha regjisorja Sussana Edwards.
Në një kohë kur dialogu demokratik është nën presion, ky film sjell një rrëfim të fuqishëm mbi paradoksin e mbrojtjes së lirisë së shprehjes së të tjerëve.
“Njësia e Policisë së Dialogut, mbron demokracinë dhe lirinë e fjalës duke marrë pjesë në protesta publike. Ata përdorin dialogun dhe komunikimin për të menaxhuar situata tensioni. Shpresoj që filmi mbi këtë njësi policore të jetë frymëzim për Shqipërinë dhe policinë shqiptare. Suedia është partner aktiv në Shqipëri, në procesin e integrimit evropian dhe në zhvillimin e aftësive të policisë në veçanti”, tha ambasadori i Suedise, Niklas Ström.
Vetë festivali i organizuar nga Akademia e Filmit e Multimedias Marubi, ka synim forcimin e të drejtave të njeriut.
“Jemi të lumtur që e mbajmë festivalin prej 21 vitesh. Ka ende vende që nuk pranojnë një festivalin për të drejtat e njeriut, dhe këtu ne shfaqim filma të ndaluar, me regjisorë të dënuar dhe madje të dënuar me vdekje. Bashkë me Presidentin e Festivalit, jemi marrë që në ’90-ën më te burgosurit politikë duke ndjekur situata në burgje. Unë jam edhe përfaqësues i Komitetit shqiptar të Helsinkit dhe po ndjekim dhe situatat tani, me njerëz që janë pjesë e temës që trajton filmi”, tha drejtori ekzekutiv i IHRFFA-s, Sinkron Kujtim Çashku. Festivali mbahet ne tiranë deri me 19 shtator, duke shfaqur 39 filma për tematika te ndryshme qe kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
