Siguria kibernetike është një nga sektorët ku kërkesa për profesionistë të specializuar vijon të rritet, ndërsa përgatitja praktike mbetet një nga sfidat kryesore për të rinjtë që duan të hyjnë në këtë treg. Për t’u dhënë studentëve mundësinë të marrin njohuri teorike dhe eksperiencë praktike, Universiteti “Luarasi” ka nisur një partneritet me kompaninë Front Space, e cila ofron shërbime dhe trajnime në fushën e sigurisë kibernetike. Në kuadër të këtij bashkëpunimi është zhvilluar programi “Cybersecurity Zero-to-Hero”, i krijuar nga TechDX, që synon të përgatisë edhe persona me pak ose aspak eksperiencë në IT.
“Partneriteti mes Luarasit dhe TexhDX u jep studentëve mundësinë të trajnohen në specializimin më të avancuar të sigurisë kibernetike që ekziston sot. Ky trajnim, i bazuar në programin e inteligjencës izraelite, mund të ndiqet edhe nga persona pa eksperiencë paraprake dhe, brenda tre ose katër muajsh, i përgatit ata për të punuar si ekspertë të sigurisë së nivelit të parë. E gjithë kjo teknologji bazohet në raste reale, ku gjatë programit pjesëmarrësit mësojnë dhe zbatojnë njohuritë e fituara në praktikë. Kështu, programi ynë, në bashkëpunim me Universitetin Luarasi, është ndër programet më të përditësuara dhe më efektive që ofrohen sot, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar,” u shpreh FRENKEL, CEO TECHDX
Programi përfshin katër module, në total janë 400 orë trajnim, më shumë se 60 laboratorë praktikë dhe mbi 100 ushtrime, me fokus te aftësitë që kërkohen në një mjedis real pune. Studentët do të kenë gjithashtu mentorim, njohje me mjetet dhe praktikat e industrisë, si dhe mundësi për të punuar me laboratorë dhe raste reale të sigurisë kibernetike.
“Pas përfundimit të trajnimit në programin “Nga Zero në Hero“, studentët kanë mundësinë të nisin praktikën profesionale duke punuar pranë kompanisë sonë. Çdo i diplomuar në program mund të fillojë menjëherë punën praktike me një nga mjetet më të avancuara të sigurisë kibernetike dhe të fitojë eksperiencë konkrete në një mjedis profesional. Kjo u jep studentëve mundësinë që, menjëherë pas përfundimit të trajnimit, të hedhin hapin e parë në karrierën e tyre dhe të zhvillojnë aftësitë praktike në fushën e sigurisë kibernetike,” tha FRENKEL. Zv.rektorja e Universitetit “Luarasi” Anni Dasho thekson se në fund të trajnimit çdo studentë i trajnuar do të pajiset më një certifikatë. Përmes këtij partneriteti synohet që formimi akademik të lidhet drejtpërdrejt me kërkesat e industrisë, duke i përgatitur studentët jo vetëm me njohuri teorike, por edhe me aftësi konkrete për tregun e punës.
