Kapiteni i Partizanit dhe portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Alban Hoxha, ka folur për derbin e së dielës, duke thënë se të kuqtë janë gati për ta thyer sërish Tiranën. “Është një sfidë delikate, tifozët dhe opinioni e ndjekin shumë derbin. Megjithatë, derbi ka treguar se nuk ka shumë rëndësi klasifikimi, por dëshira për ta fituar. Ne e kemi të madhe dëshirën për të marrë 3 pikët ndaj Tiranës”.

Por sidoqoftë, këtë vit gjërat do të jenë ndryshe dhe Hoxha e pranon këtë fakt: “Tirana është forcuar dhe tashmë vijnë edhe ndeshjet e vështira për të gjithë ekipet. Tashmë, Tirana do të duket më qartë. Është hera e parë që Tirana është moralisht më mirë se ne. Ndaj të gjithë duhet që të japim më të mirën në këtë derbi”.

Ish-shoku i tij te Partizani, Idriz Batha, ka kaluar te Tirana dhe natyrisht kërkon të zërë vend te tifozët bardheblu duke “sulmuar” ish-ekipin e tij, ndaj për të Hoxha thekson: “Çdo njeri do që të fitojë. Megjithatë s’më ka pëlqyer që të jap deklarata para ndeshjes dhe kam folur pas ndeshjeve derbi. Bathës i them se do të flasim pas ndeshjes”.

Ndryshe nga vitet e fundit, Partizani është poshtë Tiranës në tabelë dhe nuk e ka nisur kampionatin siç i ka hije një ekipi kampion. Por gjithesi, kapiteni i kuq mendon se të dielën do të jetë ndeshja e kthesës. “Kanë qenë momente jo të mira, e kemi nisur jo mirë. Ky derbi nëse fitohet hap një “faqe” të re për këtë sezon. E rëndësishme është fitorja në derbi sepse na jep më shumë optimizëm dhe psikologjikisht na bën shumë mirë për vijimin e garës si një ekip potencial për të fituar titullin edhe këtë sezon”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb