Autoritetet në shtetin amerikan të Floridës kanë lëshuar një urdhër-arrest për ish-udhëheqësin kuban Raul Castro, lidhur me rrëzimin fatal të dy avionëve të vegjël nga Forcat Ajrore Kubane në vitin 1996.

Incidenti shkaktoi vdekjen e katër personave, tre prej të cilëve ishin shtetas amerikanë.

Avionët i përkisnin organizatës jofitimprurëse “Hermanos al Rescate” (Vëllezërit në Shpëtim), me qendër ë Majemi, e krijuar nga mërgimtarë kubanë.

Prokurori i Përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, njofto sot ngritjen e akuzave dhe lëshimin e urdhër-arrestit në nivel shtetëror.

Ai deklaroi se ngjarja nuk ishte një aksident, por një vrasje, duke theksuar se banorët e Majemit kishin pritur për një kohë të gjatë për drejtësi.

Qeveria amerikane kishte ngritur akuza ndaj Castros edhe në muajin maj.

Në kohën e incidentit, Raul Castro, sot 95 vjeç, mbante postin e ministrit të Mbrojtjes së Kubës.

Autoritetet kubane pretenduan se avionët kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil arriti në përfundimin se ata ndodheshin mbi ujërat ndërkombëtare kur u rrëzuan.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës kanë qenë të tensionuara prej dekadash dhe situata është përkeqësuar gjatë presidencës së Donald Trump, për shkak të sanksioneve dhe embargos së naftës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb