Edhe pasi të rivendosen flukset e rregullta të transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit, do të duhet kohë që furnizimet globale të mallrave thelbësore të kthehen në nivelet para konfliktit.

Kjo u theksua në një deklaratë pas takimit të mbajtur më 13 prill midis krerëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (WBG).

Deklarata, e cila vuri në dukje se transporti përmes Ngushticës së Hormuzit nuk është rikthyer në normalitet, parashikoi se çmimet e karburantit dhe plehrave mund të mbeten të larta për një kohë të gjatë për shkak të dëmtimit të infrastrukturës.

“Edhe pasi të rivendosen flukset e rregullta të transportit detar përmes Ngushticës, do të duhet kohë që furnizimet globale të mallrave thelbësore të kthehen në nivelet e para konfliktit. Për shkak të ndërprerjeve të furnizimit, mungesat e burimeve thelbësore pritet të ndikojnë në energji, ushqim dhe industri të tjera”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu u theksua se u diskutua situata e vendeve që kanë vuajtur më shumë nga situata aktuale, si dhe masat e reagimit të institucioneve:

“Ekipet tona punojnë gjithashtu ngushtë në nivel vendi për të shfrytëzuar ekspertizën tonë përkatëse dhe për të ofruar këshilla të përshtatura për politikat, si dhe mbështetje financiare nga FMN-ja dhe Banka Botërore kur është e nevojshme.”

Më parë, më 8 prill, u zhvillua një takim midis krerëve të FMN-së, Bankës Botërore dhe Programit Botëror të Ushqimit (WFP), ku u diskutuan efektet e luftës në Lindjen e Mesme në ekonominë globale dhe sigurinë ushqimore.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb