TIRANË- Një fond shtesë prej 6.3 milionë dollarësh është akorduar nga qeveria amerikane në kuadër të marrëveshjes së ndihmës me palën shqiptare për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë.
Projektligji që po shqyrtohet këto ditë në Kuvend, parashikon ratifikimin e ndryshimit 7-të të marrëveshjes së ndihmës “për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme”.
Përmes këtij ndryshimi shuma totale e ndihmës financiare të parashikuar nga qeveria e SHBA-së për periudhën 2013-2018, nga 35.2 milion dollarë shkon në 60 milion dollarë.
Po ashtu, një fond shtesë me mbi 6.3 milion dollarë do të alokohet për arritjen e objektivave në tri fusha kryesore: forcimi i sundimit të ligjit, ku shtesa shkon për projektin pesëvjeçar (2016-2021) “Drejtësi për të gjithë”, që do të ndihmojë drejtuesit e gjykatave në përmirësimin e punës së tyre; në asistencën teknike për qeverisjen vendore për zbatimin e legjislacionit dhe decentralizimit dhe fusha e tretë është konkurrueshmëria, në drejtim të përmirësimit të aftësisë konkurruese të biznesit dhe forcimin e sektorit financiar.
(m.k/BalkanWeb)