Me titullin “Futja flakën Kalit të Trojës” revista amerikane Foreign Policy ka nisur artikullin për ngjarjet e fundit në Kosovë, duke shkruar se “ky është dimër i pakënaqësive për Kosovën”.
Euforia e vazhdueshme mbi pavarësinë e shpallur në vitin 2008, tashmë i ka hapur rrugën zhgënjimit për shkak të ngecjes ekonomike dhe grindjeve politike.

Foreign Policy (FP) shkruan për protestat e 24 dhe 27 janarit, ku rreth 15 mijë kosovarë dolën në rrugë për të protestuar kundër deklaratave të Aleksandar Jabllanoviçit dhe për kthimin e kombinatit të Trepçës në pronësi të shtetit.

“Skenat nga këto protesta të kujtonin protestat masive të viteve të 80-ta dhe 90-ta kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Protestat që u mbajtën në qendër të Prishtinës, janë protestat më të këqija që prej se Kosova shpalli pavarësinë”, shkruan FP, raporton lajmi.net.
Gjithashtu, në artikull tregohet për historikun e kombinatit Trepça dhe për vendimin e Kuvendit që përmes një ligji ai t’i shpëtojë falimentimit.

Theks të veçantë i jepet edhe hyrjes në koalicion qeverisës të Listës Serbe, parti kjo e cila është formuar vitin e kaluar dhe që refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.

“E mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe e udhëhequr nga Jabllanoviq, kjo parti ka fituar disa komuna në Kosovë dhe ka 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Shumë shqiptarë të Kosovës janë të zemëruar sepse kjo parti tashmë ka disa ministra në Qeverinë e Kosovës. Ata besojnë se Qeveria e Kosovës është duke iu nënshtruar Serbisë në bisedimet e Brukselit”, shkruan më tej FP.

Më 3 shkurt, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa shkarkoi nga posti i ministrit Aleksandar Jabllanoviçin.

Për këtë shkak Lëvizja Vetëvendosje anuloi protestën e parashikuar për në 4 shkurt, por zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se protestat për kërkesën tjetër, atë të kthimit të Trepçës në pronësi të shtetit, do të vazhdojnë në ditët në vijim, shkruan Foreign Policy.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb