Kukësi ka zhgënjyer në ndeshjen e parë për fazën e 3 eliminatore të “Europa League” duke u mundur me shifrat 5-2 nga Torpedo Kutaisi.

Skuadra verilindore e nisi menjëherë në malore takimin pasi në minutën e dytë u ndëshkua nga gjeorgjianët. Autori i golit ishte Kukhianidze, i cili pas 13 minutash do të shënonte golin e dytë personal dhe të dytin për ekipin.

Në minutën e 22-t Kukësi reagoi duke shkurtuar diferencat me boshnjakun Harba. Në këtë mënyrë rizgjohen shpresat për rezultat pozitiv, por do të fikeshin shpejt pasi Marin në të 28-n do të shënonte të tretin për vendasit.

Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 4-1, pasi Kimadze do të ndëshkonte edhe një herë Kukësin.

Në fraksionin e dytë të lojës skuadra e drejtuar nga Cungu pati disa raste të mira me Rexhinaldon, por mozambikasi nuk e shtyu topin drejt portës. Të kundërtën do të bënte Kapanadze që do realizonte të 5 për Torpedon.

Gjithsesi pak para fundit Kukësi do të ngushtonte me Plakun, për të mbyllur takimin me rezultatin përfundimtar 5-2, por që do të jetë shumë e vështirë në ndeshjen e kthimit që do të luhet pas 1 jave.

Torpedo 5-2 Kukësi

Komenti i ndeshjes

90+4′ Përfundon takimi

86′ GOOOL Kukësi, shënon Plaku me penallti

86′ GOOOL Torpedo, shënon Kapanadze.

75′ Dy mundësi radhazi për Rexhinaldon para portës së Torpedos. Fillimisht sulmuesi kalon portierin por sheh gjuajtjen e tij drejt portës të devijohet në goditje nga këndi. Më pas, në ekzekutimin e saj, gjuan me kokë por pa gjetur katërkëndorin.

73′ Gjeorgjianët mundohen të ulin ritmin në këto minuta, duke qarkulluar topin më gjatë për të mbyllur ndeshjen.

67′ Tjetër mundësi për Shametin pas një goditje nga këndi, kapiteni nuk gjen kuadratin me gjuajtjen e tij me kokë.

65′ Harkim në zonë nga e djathta për Shametin i cili gjuan me kokë por nuk gjen kuadratin e portës vendase.

63′ Cungu ndryshon rreshtim dhe orienton ekipin drejt sulmit. Jashtë Dzaria dhe Çyrbja, në lojë Shkodra dhe Plaku, duke luajtur tashmë me 3 futbollistë në repartin e avancuar.

60′ Traversa shpëton portën e Kukësit nga goli i pestë. Pasimi i radhës nga e majta e sulmit të vendasve gjen të përgjumur mbrojtjen, Frashëri devijon por sfera përfundon te Laçnji i cili gjuan me portën e boshatisur por godet në mënyrë të pabesueshme traversën.

51′ Rexhinaldo shfaqet përsëri përballë portës kundërshtare, goditja e tij është shumë e dobët dhe përfundon qetësisht në duart e gardianit vendas.

48′ Çyrbja shpërthen përsëri në krahun e djathtë, vonohet duke mos arritur të futet në zonë, ndërsa harkimi i tij drejt qendrës largohet nga mbrojtja kundërshtare.

46′ Çyrbja harkon në zonë nga e djathta, Rexhinaldo ul topin për Dzaria por ky i fundit nuk arrin të devijojë para portierit.

46′ Nis pjesa e dytë

45+2′ Përfundon pjesa e parë.

45′ Jepen 2 minuta shtesë.

43′ Rrumbullako harkon në zonë një goditje dënimi nga e majta, portieri gjeorgjian del dhe kontrollon topin duke nisur një kundërsulm të shpejtë në krahun e zakonshëm, të ndalur këtë radhë nga ndërhyrja e Musollit.

38′ Tjetër mundësi e shkëlqyer e Rexhinaldos që shpërdoron para portës. Uilliam harkon mirë nga e majta, sulmuesi me kokë dërgon sferën mbi traversë.

31’ Torpedo nuk ndalet. Shënon golin e 4 kundër Kukësit me autor Kimadze

28′ Torpedo shënon shumë shpejt golin e 3. Marin ndëshkon skuadrën e Cungut

22′ Kukësi rifutet në lojë. Mesfushori boshnjak Harba shkurton diferencat. Nje gol mjaft i bukur nga një kënd shumë i prirët

15′ Torpedo shënon edhe golin e dytë, i njëjti autor, Kukhianidze.

2′ Gol gjeorgjinanët. Kukësi ndëshkohet në aksionin e parë të Torpedos. Autor i golit Kukhianidze

1′ Ka nisur takimi në Gjeorgji

Do të luhet në stadiumin “Mikheil Meski” të qytetit të Tbilisit në Gjeorgji ndeshja e parë e turit të 3 të “Europa League” mes Torpedo Kuitasit dhe Kukësit.

Skuadra shqiptare do të kërkojë të marrë një rezultat pozitiv në transfertë për ta patur më të thjeshtë një javë më pas në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”.

Nga minuta e parë për ekipin e drejtuar nga Cungu do të luajë sulmuesi Rexhinaldo, i cili vetëm sot në mëngjes është bashkuar me ekipin pas 2 ditësh i bllokuar në aeroport për shkak të vizës që nuk jepej nga shteti Gjeorgjian. Ndërkohë Torpedo ka zgjedhur të zbresë në fushë me formacionin 4-3-3.

19:00 | Torpedo Kutaisi-Kukësi

FORMACIONET

Torpedo Kutaisi: Kvaskvadze, Tsintsadze, Kukianidze, Azatski, Gegetçkori, Dolidze, Kimadze, Marin, Hlinka, Kobakidze, Lacni.

Trajner: Kakhaber Çketiani

Kukësi: Frashëri, Hoxha, Shameti, Qaqi, Rrumbullaku, Çyrbja, Dzaria, Musolli, Kordeiro, Rexhinaldo, Harba.

Trajner: Armando Cungu.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb