Kimi Antoneli vazhdon të shkëlqejë në Kampionatin Botëror 2026 të Formulës 1, duke fituar në Montreal Çmimin e Madh të katërt radhazi.
Pas një gare spektakolare me parakalime dhe kundërparakalime mes Xhorxh Rasëllit dhe Antonelit, gjithçka u vendos në xhiron e 30-të, kur piloti britanik u detyrua të tërhiqej për shkak të një problemi teknik. Rasëll doli drejt zonës së sigurisë dhe parkoi Mercedesin e tij “W17” të fikur në dalje të variantit, duke shfaqur hapur zemërimin.
Nga ai moment, Antoneli kaloi në modalitet administrimi të garës pas “pit stop”-it dhe marshoi i qetë drejt flamurit me kuadrate dhe një tjetër fitoreje të madhe. Pas triumfeve në Shanghai, Suzuka dhe Majami, talenti italian kompleton “pokerin” edhe në Kanada, duke e çuar avantazhin ndaj shokut të skuadrës nga 18 në 43 pikë (131 pikë ndaj 88).
Rasëll, fitues i Sprintit të së shtunës përpara Norrisit dhe vetë Antonelit, u ngushëllua nga Toto Volf në rikthimin e këtij të fundit në “paddock”. Për Kimin, ky është një avantazh ëndrrash në prag të nisjes së sezonit europian, pas pesë etapave të para jashtë kontinentit.
Në podiumin kanadez, pas Antonelit, u renditën Luis Hamilton me Ferrarin në vendin e dytë, rezultati i tij më i mirë me skuadrën italiane, dhe Maks Vershtapen në vendin e tretë. Shtatë herë kampioni i botës arriti fillimisht të afrohej dhe më pas të kalonte pilotin holandez të Red Bullit shtatë xhiro para fundit. Jashtë podiumit mbeti Sharl Leklerk, i cili arriti të shpëtojë në limit një fundjavë të vështirë dhe shumë larg ritmit të shokut të skuadrës.

Ferrari dhe Red Bull përfituan maksimalisht edhe nga dita katastrofike e MekLarenit. Gara e skuadrës kampione të konstruktorëve në dy sezonet e fundit u komprometua që në start nga zgjedhja e gabuar e gomave. Lando Norris dhe Oskar Piastri nisën me goma të ndërmjetme, por u detyruan të futeshin shumë shpejt në bokse për të kaluar në “slicks”.
Megjithatë, në nisje kampioni në fuqi kishte bërë një start fantastik duke kaluar të dy Mercedesët e Antonelit dhe Rusëllit sapo u fikën semaforët. Më pas, Norris u detyrua të tërhiqej në xhiron e 41-të për shkak të një problemi me kambion, ndërsa shoku i tij australian i skuadrës e mbylli vetëm në vendin e 13-të një garë anonime dhe zhgënjyese.

