Ditën e sotme, gazeta “Panorama Sport” publikoi një dokument në të cilin klubi i Partizanit ka një borxh të pashlyer që arrin ën vlerën e 95 milionë lekëve të vjetra dhe për këtë arsye, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara ka marrë vendim që të bllokojë aksionet e klubit të kuq.
Shkresa e bllokimit të aksioneve, ka mbërritur në klubin e Partizanit në datën 9 qershor të këtij viti, teksa klubi i Partizanit ka vepruar menjëherë. “Panorama Sport” ka arritur të sigurojë edhe një faturë tjetër, këtë herë nga klubi i Partizanit ku vërtetohet se shuma e prapambetur, është paguar vetëm pak ditë më vonë. Kështu, në datën 20 qershor, të kuqtë kanë mbyllur të gjitha detyrimet që kishin.
Me pagesën që klubi i kuq ka bërë, tashmë Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore i heq dënimin e dhënë pak kohë më parë. Në shkresën e datës 9 qershor, klubi i Partizanit nuk mund të kryente asnjë veprim në lidhje me transferime, shitje apo dhurim të aksioneve.