MIRDITE- Banesa e Shefit të Qarkullimit Rrugor në Mirditë, 53-vjeçarit Gjovalin Toma u qëllua gjatë natës duke u gdhirë dita e shtunë, me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00. Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Gjovalin Toma (personi në foto) është shprehur i befasuar nga ngjarja, pasi sipas tij, ai nuk ka asnjë konflikt.

Ai pretendon se autorët mund të kenë gabuar shenjestër, pasi nuk ka patur asnjë konflikt.
Autorët kanë goditur vetëm pjesën e kuzhinës, ndërsa vetë Toma ndodhej në banesë në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Plumbat kanë goditur muret e shtëpisë, ndërsa dy prej tyre kanë depërtuar në brendësi të banesës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Sakaq, janë ngritur postblloqe për kapjen e autorësve. Ende nuk dihen shkaqet, por do të jenë hetimet ato që do të hedhin më shumë dritë ngjarjen. Mësohet se janë ngritur disa pista hetimi ndër të cilat dhe ajo për shkak të detyrës.

Informacioni i policisë
Me datë 23.09.2017, rreth orës 01:43, është marrë njoftim se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Gj.T. 53 vjeç, banues Ishull Shëngjin në Lezhë, me detyrë shef i Seksionit të qarkullimit rrugor në Komisariatin e Policisë Mirditë.

Për pasojë nuk ka pasur të lënduar në njerëz vetëm dëme materiale. Në vendngjarje menjëherë kanë mbërritur grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, që po hetojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: